AIP kërkon nga partitë politike mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve gjatë fushatës
Agjencia për Informim dhe Privatësi ka kërkuar nga partitë politike mbrojtjen e të dhënave personale gjatë fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Në mbikëqyrje të zbatimit të ligjit, përkatësisht mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve, Agjencia për Informim dhe Privatësi në vitet e fundit ka pranuar ankesa të adresuara nga qytetarët ndaj partive politike për përdorimin e të dhënave personale të qytetarëve në mënyrë të paautorizuar, duke aplikuar marketingun e drejtpërdrejtë, të cilat raste, janë trajtuar përkitazi me ligjin”.
AIP ka kërkuar nga partitë politike që të mos i ekspozojnë të dhënat personave gjatë komunikimit nëpërmjet postës elektronike, mesazheve dhe thirrjeve telefonike pa pëlqim paraprak.
“Për të siguruar zbatimin e ligjit, për mbrojtjen e të dhënave personale dhe njëkohësisht për të shmangur çdo veprim të Agjencisë kundrejt Partive Politike dhe subjekteve të përfshira në procesin e fushatës elektorale, Agjencia kërkon nga Partitë Politike zbatimin e detyrimeve ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve duke mos ekspozuar të dhënat personale gjatë komunikimit nëpërmjet postës elektronike (e-mail), mesazhet (SMS) dhe thirrjet telefonike, pa pëlqim paraprak”.
“Agjencia ofron bashkëpunim me subjektet politike për të siguruar respektimin e së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe bën thirrje që çdo informacion personal i mbledhur gjatë procesit të regjistrimit të votuesve, për realizimin e komunikimit me qytetarët gjatë aktiviteteve të fushatës zgjedhore, të përdoret në përputhje me kërkesat ligjore”.