![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2025/02/AIP.png)
AIP u bën thirrje partive politike që të mbrojnë të dhënat personale të qytetarëve
Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) përmes një njoftimi për medie ka përsëritur kërkesën për partitë politike për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve në komunikimet nëpërmjet postës elektronike (e-mail), mesazhet (SMS) dhe thirrjeve telefonike, pa pëlqim paraprak.
Në njoftim thuhet se Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), në përmbushje të mandatit të saj ligjor për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës, përsërit kërkesën drejtuar Partive Politike në Kosovë për mbrojtjen e të dhënave personale gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e datës 9 shkurt 2025.
“Për të siguruar zbatimin e ligjit, Agjencia kërkon nga Partitë Politike zbatimin e detyrimeve ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve duke mos përdorur dhe ekspozuar të dhënat personale në komunikimet nëpërmjet postës elektronike (e-mail), mesazhet (SMS) dhe thirrjeve telefonike, pa pëlqim paraprak”, thuhet në njoftim.
Më tutje, AIP ofron bashkëpunim me të gjitha subjektet politike për të siguruar respektimin e së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe bën thirrje që çdo informacion personal i mbledhur gjatë procesit të regjistrimit të votuesve, për realizimin e komunikimit me qytetarët gjatë aktiviteteve të fushatës zgjedhore të përdoret në përputhje me kërkesat ligjore.