Ajaxi fiton pas 11 ndeshjesh dhe dy muajsh
Në ndeshjen që ishte shtyrë nga xhiro e tretë e kampionatit holandez të futbollit, Ajaxi ka mundur Volendamin me rezultat 2-0, duke shënuar fitoren e parë në 11 ndeshjet e fundit.
Pasi regjistroi shtatë humbje dhe tri barazime në dhjetë ndeshjet e fundit në të gjitha garat, duke u zhytur në fund të Eredivisie, Ajaxi nën drejtimin e trajnerit të ri John van ‘t Schip mposhti Volendamin. Ishte një fitore e vështirë, vendasit kaluan në avantazh në minutën e 57-të me golin e Steven Bergwijn, ndërsa Chuba Akpom konfirmoi fitoren në minutën e 89-të.
Ishte fitorja e parë e Ajaxit pas gushtit ku fitoi 4-1 si mysafir ndaj Ludogorets në “play-off”-in e Ligës së Evropës, ndërsa hera e fundit që fitoi në kampionat ishte në ndeshjen e turit të parë ndaj Heracles të luajtur më 12 gusht.
Ajaxi për herë të parë në historinë e klubit u takua me Volendam në vendin e fundit të tabelës dhe me tre pikë u ngjit në pozitën e 15-të dhe tani ka tetë pikë.