Ajeti: Kosova, destinacion për investime gjermane
Me ftesë të kryetarit të Parlamentit të Sachsen-Anhalt, Gunnar Schellenberger, ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka marrë pjesë në një bashkëbisedim me mbi 60 ndërmarrës nga landet Sachsen-Anhalt, Niedersachsen dhe Sachsen.
Gjatë takimit, Ajeti prezantoi potencialin ekonomik të Kosovës dhe mundësitë e shumta që vendi ofron për investime të huaja.
Ai, sipas një njoftimi në rrjetet sociale, ka theksuar partneritetin e ngushtë në mes të Kosovës dhe Gjermanisë, si dhe rritjen e vazhdueshme të investimeve gjermane në Kosovë.
“Të pranishmit shfaqën interesim të madh për sektorë të ndryshëm ekonomikë, si dhe për klimën e favorshme të investimeve në vendin tonë. Ambasadori Ajeti i ftoi ndërmarrësit të vizitojnë Kosovën, për të parë nga afër mundësitë e biznesit dhe për të eksploruar perspektivat për bashkëpunim ekonomik”, është thënë në njoftim