Ajeti: Kosova ka nivelin ‘2’ të kërcënimit si Franca dhe Gjermania
Atasheu i Mbrojtjes në Ambasadën e Kosovës në Bruksel, nënkolonel Ahmet Ajeti, ka sqaruar paralajmërimin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për qytetarët amerikanë që planifikojnë të vijnë për vizitë në Kosovë, veçanërisht në pjesën veriore.
Ajeti ka thënë për “Epokën e re” se Departamenti i Shtetit në bazë të rregullave harton ‘Travel Advisory’(Këshilla për udhëtime) për gjitha vendet e botës, duke shtuar se përmbajtja e këtij viti është pothuajse e ngjashme me atë të vitit të kaluar. Sipas tij, në këto paralajmërime Kosova është në nivelin e Francës dhe Gjermanisë. “State Department në bazë të rregullave bënë këso ‘Travel Advisory’(Këshilla për udhëtime) për të gjitha shtetet në botë. Rifreskimi i fundit është bërë më 10 janar, për tërë shtetet, përfshirë edhe Kosovën. Përmbajtja është pak a shumë e njëjta, me ato të mëparshmet. Për ilustrim, në këto paralajmërime, Kosova ka nivelin 2 të kërcënimit (nga 4) ku në nivelin 2 është Franca, Gjermania, Italia, Danimarka, Spanja, etj”, ka bërë me dije Ajeti.