Ajeti takon homologun armen, bisedojnë për bashkëpunim në fushën e turizmit dhe kulturës
Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka zhvilluar një takim me homologun e tij armen, Viktor Yengibaryan.
Bashkëbisedimi mes tyre, sipas Ajetit, ka ardhur pas takimit miqësor të zhvilluar ndërmjet Kryeministrit Albin Kurti dhe homologut të tij nga Armenia, Nikol Pashinyan, të zhvilluar në margjina të Konferencës së Sigurisë në Mynih.
Në takimin mes Ajetit dhe Yengibaryanit është diskutuar për zhvillimin e turizmit mes dy vendeve.
“…si vazhdimësi e thellimit dhe zgjerimit të bashkëpunimit mes dy shteteve tona, sot, u zhvillua takimi i radhës ndërmjet Ambasadorit të Republikës së z. Faruk Ajeti dhe Ambasadorit të Republikës së Armenisë z. Viktor Yengibaryan, dhe përfaqësuesve shtetërorë të sektorit të turizmit të dy ministrive respektive në kuadër të ITB Berlin, për të diskutuar mundësitë e bashkëpunimit në fushën e turizmit dhe kulturës ndërmjet Kosovës dhe Armenisë”, ka thënë Ajeti në një postim në Facebook.
Duhet theksuar se Armenia është në mesin e vendeve që ende nuk e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës.