“Ajo është, ne i njohim zërin e fytyrën” – të afërmit flasin për Parashqevi Simakun pas videos që pushtoi rrjetin

15 dhjetor 2024 | 23:46

Këngëtarja e njohur shqiptare, Parashqevi Simaku, gjatë këtyre ditëve është rikthyer në vëmendje të madhe të publikut.

Ajo u shfaq pas një kohe të gjatë në Amerikë, ku shihej duke kërkuar ndihma dhe një person totalisht i transformuar.

Për këtë pati reagime të shumta dhe personazhe që shprehën gatishmërinë e tyre për ta ndihmuar.

Së fundmi kanë folur edhe disa të afërm të saj duke treguar për rrugëtimin që kishte dhe për atë se kur kanë kontaktuar me të.

Për Report TV kanë folur vajza dhe djali i tezes së saj teksa ndanë disa detaje për publikun.

“E vërteta, erdhi këtu para ‘97 se do jepte koncert me të shoqin. Ai arriti rrëmujën dhe i thonte tezes sime, brenda se na vijnë huliganët. E thonë shqip huliganët. Kur ishte ’97. I pret e ëma biletën që të nisën urgjentisht se në Shqipëri po bëhet rrëmujë. Për tre ditë do niseni i thotë. Bënë dasmën në Amerikë, na e ka treguar videon tezja. Lindi fëmijën, Lukën. Shkoi tezja një vit dhe nuk ia panë pasaportën që duhet ta shkelte çdo 6 muaj dhe mori ekspuls. Nuk shkeli më në Amerikë, gjithë jetën lot ka derdh se nuk e pa më atë fëmijë. Shkoi dhe vëllai ndejti një vit”, tha ajo.

“Diku filluan debatet, bëri disa disqe në anglisht. Nuk u eci, u divorcuan. Ia mori djalin. Ne mësuam me të dhëna, kemi vite që nuk komunikojmë me të. U bë shumë vite. Nuk na lejonte tezja. Se daja thonim ta kërkojmë tek Aida Shtino. Jo thonte e ëma, mos mi nxirrni namin gocës. Të gjithë janë lodhur për ta kërkuar, nusja vëllait, goca e vëllait që ka në Francë. Ai përgjigjej ashpër, hajdeni merreni se nuk e dua më, kam marrë tjetër. Se një ditë do ta gjeni në koshat e plehrave thonte ai. Ne u mërzitëm shumë. Ajo u nis edhe njëherë, e kaloi Francën, por e kthyen. Kam kontaktuar njëherë edhe me një gazetar, me dha një adresë në Manhattan. E kemi kërkuar, por nuk e gjetëm”, tregoi tutje vajza e tezes.

Edhe djali i tezes i kujtoi me nostalgji ditët kur këngëtarja kishte ardhur për koncert në Shqipëri.

Të afërmit e këngëtares tregojnë se shpesh kanë tentuar të kontaktojnë me të qoftë edhe përmes rrjeteve sociale por nuk kanë mundur.

“E shikoja që 1 orë ose gjysme ore më përpara ajo e kishte përdorur mesenger. I bija e kurrë nuk ma hapte. E kam takuar për herë të fundit më duket në vitin 1999 kur kishte ardhur për koncert. Flinte te shtëpia e vëllait tim. Unë isha në Amerikë te vajza në Florida 2 vjet më parë thotë ai. Bëra çmos thotë për ta kontaktuar por ishte e pamundur. Shqiptarët atje nuk kishin asnjë kontakt me të”, theksoi ndër tjerash. /Telegrafi

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është ftuar nga Prokuroria Speciale…