‘Ajo nuk është Bibël’, Lajçaku kërkon ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës për asociacionin
Përveç që Asociacioni është shndërruar në “mollë sherri” për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, tani nga Bashkimi Evropian (BE) kanë ardhur deklarata befasuese që kërkojnë edhe ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës.
Madje është vet emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ai që pas takimit që pati dje në Beograd me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se Kosova për Asociacionin mund ta ndryshojë edhe Kushtetutën.
Kjo e fundit siç është shprehur Lajçaku “nuk është Bibël” që të mos mund të ndryshohet.
“Është thënë qartë se ajo që është premtuar duhet të realizohet, përfshirë Asociacionin. Është e logjikshme që të ndryshojë Kushtetuta. Nuk ka thënë askush se nuk guxon të ndodh. Kushtetuta nuk është Bibël”, ka thënë Lajçaku.
Mesazhe se Kosova duhet t’i përmbahet në çdo formë zotimit të saj për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Lajçaku ka dhënë edhe dje në Prishtinë.
Para medieve kosovare, ai madje tha se nuk do të ketë marrëveshje finale pa Asociacion.
Në këtë kuadër, Lajçaku ka refuzuar të komentonte në lidhje me njohjen reciproke, dhe nëse Asociacioni është çmimi që Kosova duhet ta paguajë për ta fituar njohjen nga Serbia.