“Ajo nuk është më e fortë se unë” – Pse biseda e vjedhur mes Biden dhe Obamës ku (ndoshta) flasin për Harris po bën zhurmë në SHBA
Joe Biden dhe Barack Obama kanë nxitur spekulimet në shumë media konservatore amerikane dhe jo vetëm se mund të kenë parashikuar shanset e Kamala Harris për të fituar zgjedhjet e 2024.
New York Post ka shpërndarë një video 37 sekonda ku dy demokratët u filmuan duke debatuar me pasion në funeralin publik të Ethel Kennedy të mërkurën ku Biden tha mes të tjerash: “Ajo nuk është aq e fortë sa unë”, përpara se Obama të përgjigjej: “Kjo është e vërtetë”.
Debati në video ndonëse me zë të ulët u deshifrua nga lexuesi profesionist i buzëve Jeremy Freeman, i cili shtoi se dy burrat më së shumti mbështesnin bisedën e njëri-tjetrit.
Por komentet e deshifruara vetëm sa do të shtojnë intrigën se për kë po diskutonin saktësisht dy demokratët dhe nëse ishte ajo Kamala Harris.
Sipas ekspertit Freeman, në fillim të bisedës, Biden i tha Obamës: ‘Ajo nuk është aq e fortë sa unë’.
Obama u përgjigj: ‘Unë e di…kjo është e vërtetë…ne kemi kohë…’
Ish-presidenti shtoi: “Unë mendoj se është e rëndësishme që ne të mund të kemi pak kohë së bashku.”
Një referim sipas tabloidit njujorkez mbështetjes në fushatë që do t’i japin dy presidentët kandidates Harris.
Biden u duk se mbështeti paraardhësin e tij, duke thënë: “Po, ne do të arrijmë atje në kohë”.
Më pas Obama u largua nga kamera dhe i tha diçka tjetër Bidenit, të cilës presidenti iu përgjigj: ‘Uh h’.
Biseda në funeral u ndërpre më pas nga Bill Clinton, i cili i shikoi ata dhe bëri me shenjë nga pjesa e përparme e katedrales.