Ajo që quhet “dhoma e përgjimeve” monitorohet nga kamerat e menaxhuara nga kryeprokurori

29 maj 2020 | 17:59

Akuzave, fillimisht të presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, se Albin Kurti me grupin e tij kanë hyrë në dhomën e përgjimeve në Telekomin e Kosovës, u është përgjigjur vetë Telekomi i Kosovës, i cili ka mohuar se ka “dhomë të përgjimeve”.

Në një komunikatë për media, Telekomi i Kosovës ka njoftuar se as vetë e as operatorët e tjerë të telekomunikacionit në Kosovë nuk kanë “dhoma të përgjimeve”. Megjithatë, ka sqaruar se “objekti ku është e vendosur drejtoria dhe administrata jonë kryesore aktualisht nuk është pronë e Telekomit të Kosovës sh.a. por e Postës së Kosovës. Në kuadër të kësaj ndërtese ekzistojnë hapësira të cilat nuk i menaxhon Telekomi i Kosovës sh.a. dhe një ndër to është edhe një hapësirë e cila menaxhohet nga Kryeprokurori i Shtetit. Kjo hapësirë apo “dhoma e përgjimeve” si është e njohur nëpër media, funksionon në bazë të ligjit 05/L-030 dhe me një Vendim të Kryeprokurorit të Shtetit. Të gjitha këto janë të bazuara në Standardet Ndërkombëtare të sigurisë. Hapësira të tilla ekzistojnë tek të gjithë operatorët në Evropë, duke i përfshirë këtu edhe operatorët në Kosovë. Në këtë hapësirë, e cila menaxhohet nga Kryeprokurori i Shtetit, nuk ka pasur qasje asnjëherë dhe në asnjë rast nga ndonjë i punësuar i Telekomit të Kosovës sh.a. pa autorizim dhe pa praninë e përgjegjësve nga Prokuroria e Shtetit. Hapësira në fjalë është e monitoruar përmes kamerave të cilat menaxhohen nga Kryeprokurori i Shtetit. Pas verifikimit nga personat kompetentë, përreth hapësirës në fjalë nuk është gjetur asnjë shenjë apo element i dyshimtë për qasje me forcë apo qasje të paautorizuar. Deklaratat e pa verifikuara, të pasakta, apo të papërgjegjshme mund ta dëmtojnë biznesin dhe imazhin e Telekomit të Kosovës sh. a. Kemi frikë se kjo mund të keqkuptohet si favorizim i konkurrencës apo dëmtim i qëllimshëm i reputacionit të Telekomit të Kosovës sh.a”, ka reaguar Telekomi i Kosovës.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komiteti Olimpik i Kosovës ka mbajtur video-konferencën e radhës me…