Ajvaz Berisha: Heqja e emrit “Hasan Prishtina” vjen nga mbeturinat e jugonostalgjikëve të mbështetur nga qarqe të caktuara të këtij pushteti
Pas inicimit të Universitetit të Prishtinës për heqjen e emrit “Hasan Prishtina”, ka reaguar edhe profesori universitar Ajvaz Berisha.
Berisha ka theksuar se një kërkesë e tillë vjen nga mbeturinat e jugonostalgjikëve të mbështetur nga qarqe të caktuara të këtij pushteti.
“Në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, nga qarqe të caktuara ka filluar diskutimi për heqjen e emrit të patriotit, dijetarit dhe diplomatit Hasan Prishtina. Padyshim një kërkesë e tillë vije nga mbeturinat e jugonostalgjikëve të mbështetur nga qarqe të caktuara të këtij pushteti”, ka shkruar Berisha në “Facebook”
Ai ka theksuar se Këshilli Drejtues dhe rektori i Universitetit të Prishtinës kanë qindra punë më të rëndësishme sesa të merren me heqjen e emrit të patriotit të madh Hasan Prishtina.
“Pse rektori dhe Këshilli Drejtues nuk po kanë guximin të merren me kishën e cila është vendosur në mënyrë të paligjshme në kohën e okupimit. Këtë se bëjnë sepse janë frikacakë e të pandërgjegjshëm”.
“Ne jemi të vetëdijshëm nga kush ka ardhur ky propozim, por le të provojnë ta heqin. Po harroni se në këto treva ka njerëz që kur prekën figura të rëndësishme janë në gjendje të bëjnë çfarëdo sakrifice. Kosova ka njëmijë probleme më të mëdha me armiqtë tanë shekullor sesa të merren me heqjen e emrit të një prej figurave më të ndritura të kombit, siç ishte Hasan Prishtina”, ka shkruar profesori Berisha.