Akademia Diplomatike fillon trajnimin intensiv për diplomatë të rinj 

22 tetor 2019 | 17:12

Pesëmbëdhjetë zyrtarë të rinj diplomatikë dhe zyrtarë të rinj civilë të Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ), të martën kanë filluar trajnimin intensiv i cili ka për qëllim ngritjen e shkathtësive të tyre përpara se të angazhohen që të shërbejnë në misionet përkatëse diplomatike dhe konsullore të shërbimit të jashtëm të Republikës së Kosovës.

Hapjen e trajnimit, i cili do të jetë 20 ditorë, e ka bërë drejtori i përgjithshëm i Akademisë Diplomatike të Republikës së Kosovës, Fatmir Haxholli.

Ai ka thënë se trajnimi i organizuar nga Akademia Diplomatike dhe mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe do të forcojë më shumë kapacitetet e Kosovës për të mbrojtur dhe promovuar interesat shtetërore dhe për të marrë pjesë në mënyre efektive në ambientin ndërkombëtar.

Haxholli ka theksuar se ky është një moment i rëndësishëm meqë, siç ka thënë ai, programi nëpër të cilin do të kalojnë diplomatët e rinj është gjithëpërfshirës, i dalë si rezultat i konsultimeve brenda ministrisë, sugjerimeve prej akterëve të shoqërisë civile që monitorojnë punën e Ministrisë së Punëve të Jashtme, konsultimeve me njohës të zhvillimeve në politikën e jashtme dhe diplomaci dhe është i bazuar edhe te modelet e shumta të akademive të vendeve të zhvilluara e demokratike.

“Është nderë ta mbani titullin Diplomatë të Rinj të Republikës së Kosovës, në kuptimin e gradës, edhe pse juve nuk jeni të rinj në atë që posedoni dhe përfaqësoni. Prandaj uroj që në një të ardhme të afërt do të keni mundësinë që të dëshmoni me sukses aftësitë dhe shkathtësitë tuaja në Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës”, u ka thënë diplomatëve të rinj drejtori i Akademisë Diplomatike, Fatmir Haxholli.

I pranishëm në hapjen e këtij trajnimi ishte edhe sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Fitim Sadiku, i cili ka thënë se ky do të jetë vetëm një nga trajnimet në vazhdën e trajnimeve të tjera që do të organizohen nga Akademia Diplomatike e Republikës së Kosovës.

Ai ka theksuar se Akademia Diplomatike do të vazhdojë të lidhë marrëveshje me akademi të tjera diplomatike me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe ekspertëve më të mirë që do të kontribuojnë në forcimin e shkathtësive të diplomatëve të rinj.

“Nuk do të ndalemi me kaq, por do të vazhdojmë trajnimin edhe të kategorive të tjera të të punësuarve në Ministrinë e Punëve të Jashtme, të zyrtarëve të mesëm e të lartë, përfshi edhe pjesën menaxheriale. E theksoj këtë, pasi në ditët e sotme, kohën e zhvillimeve të jashtëzakonshme në të gjitha fushat e jetës, në veçanti në fushën e komunikimit, duhet të jemi të kujdesshëm që të mos ngelim mbrapa, por të mësojmë në vazhdimësi në mënyrë që të ecim në hap me të tjerët”, ka theksuar Sadiku, i cili më pas mbajti edhe një ligjëratë për strukturën organizative dhe funksionimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës.

Në këtë trajnim 20 ditorë do të ligjërojnë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, përfaqësues të ambasadave dhe konsullatave të huaja në Kosovë, si dhe ekspertë ndërkombëtar dhe vendor.

Ndërsa diplomatët e rinj pritet që nga ky trajnim të arrijnë të kuptojnë rëndësinë e koordinimit dhe përfaqësimit të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës si dhe të marrin njohuritë themelore lidhur me përfaqësimin e interesave të shtetit të Kosovës jashtë vendit, duke përfshirë shërbimin konsullor dhe përfaqësimin diplomatik nga ambasadat e akredituara në vendet e ndryshme me të cilat Republika e Kosovës ka marrëdhënie diplomatike.

/Epoka e re/ 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), aktualisht kryetar i…