Akademia e Shkencave të Shqipërisë: Nobeli për Handke, akt i rëndë i dhunimit të vlerave njerëzore
Akademia e Shkencave të Shqipërisë (AShSh) ka reaguar pas dhënies së çmimit Nobel për letërsinë për shkrimtarin Peter Handke.
Me anë të një letre, drejtuar Akademisë së Shkencave në Suedi është thënë se ky është një akti i rëndë i dhunimit të vlerave njerëzore.
“Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë paraqet mospajtimin dhe indinjatën e saj, pasi në vlerësimin tonë ky është një akt i rëndë i dhunimit të vlerave njerëzore”, është thënë në letrën e AShSh-së.
Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka thënë se prej vitesh i është shmangur interpretimeve për mosdhënien e mëritur të këtij çmimi, shkrimtarit Ismail Kadare.
“Duke qenë prej shumë vitesh propozuese ngulmuese e kandidaturës së shkrimtarit shqiptar me reputacion të gjithëvlerësuar botëror Ismail Kadare, Akademia e Shkencave e Shqipërisë u është shmangur, edhe pse me mundim, interpretimeve të kësaj jurie, duke mos dashur të gjykohet si palë e cenuar”, është thënë në këtë letër
Sipas Akademisë, laureimi i sivjetmë, që me të drejtë ka krijuar një gjendje shqetësimi gjerësisht në Evropë e në Botë, e ka detyruara të largohet nga mirësjellja formale dhe të shprehë kontestimin publik, që u bashkohet shumë kontestimeve të tjera.
“Akademia motër Suedeze e Shkencave, në raste të mëparshme të vendimeve të diskutueshme të jurive të saj, me të drejtë ka lënë të kuptohet se është në parimet e saj që Nobeli i letërsisë është çmim talenti dhe qytetarie. Dhënia e një çmimi të tillë mund të arsyetohet me faktin se ai i referohet vetëm kontributit të shkrimtarit në letërsinë botërore, por në të njëjtën kohë jemi të vetëdijshëm edhe për peshën politike që mbart çmimi Nobel. Këtë vit ne jemi të detyruar të shprehim qëndrimin tonë, sepse kandidati i laureuar e implikon rëndë këtë parimësi, duke e paraqitur jurinë e këtij çmimi dinjitoz në standarde të dyfishta dhe shpërfillëse ndaj dukurive më të refuzuara evropiane, si ‘hate speech’, përkrahja e krimeve kolektive, mbështetja publike e urrejtjes kombëtare, gjuhësore, fetare, racore, gjinore e kulturore, me shkelje të duksme të kodit të etikës. E njëjta Akademi që akordon vit për vit çmimin Nobel të Paqes nuk mund t’i lejojë vetes të inkurajojë me Nobelin e Letërsisë urrejtjen dhe konfliktin”,
“Prej kohësh janë paraqitur dyshime për moralin e Nobelit në Letërsi. Ka ndodhur që juria e këtij çmimi të lartë ka konsideruar edhe opinionet; ka ndodhur edhe e kundërta, që, në emër të idealeve, ideologjive, qëndrimeve vetjake politike, të bëhet para-përzgjedhje, duke përjashtuar edhe kryemjeshtër të artit të fjalës. Siç ka ndodhur që talente të jashtëzakonshëm në letërsi të rezultojnë, shumë kohë pas shpalljes fitues, që kanë pasur implikime okulte në jetën shoqërore. Por nuk ka ndodhur ndonjëherë që frymëzuesit e ideologjisë primitive të urrejtjes dhe armiqësisë etnike të laureohen duke ua amnistuar përgjegjësitë e tyre të mirënjohura si famëkeqe prej kohësh botërisht”, është thënë në letrën e AShSh-së drejtuar Akademisë së Shkencave në Suedi.