“Akademia” futet në shtyp
Numri i tretë i revistës për kulturë, gjuhë dhe media, “Akademia”, botuar nga shtëpia botuese “Armagedoni”, sot është dorëzuar në shtyp dhe pritet të dalë në treg të premten.
Në këtë numër të revistës janë botuar intervista, ese, publicistikë, studime për letërsinë, gjuhën dhe mediat; pastaj shkrime kritike, recensione, poezi, prozë.
Revista ka 606 faqe. Tridhjetë për qind të parave nga shitja e saj, sipas kryeredaktorit të revistës, Berat Armagedonit, do të jepen për vajzat dhe gratë e prekura nga kanceri i gjirit. Ja çfarë shkruan ai në një koment në profilin e vet në “Facebook”, në të cilin ka ngarkuar edhe fotografinë e kopertinës së revistës.
BUKURI QË VRET
Deri para një ore koka më vlonte sikurse gjella në tenxhere. Me anëtarët e revistës kemi kryer revistën, brendësinë dhe përmbajtjen e saj, qysh dje. Për sot na kishte mbetur dukja e saj e jashtme, ajo që në shikim të parë të tërheqë si për hunde, që ose dashurohesh, ose ndien dhembje e keqardhje për të, ose e urren për shkak se ka një histori ankthi përbrenda vetes që shqetëson përditë.
Kjo “bukuri që vret”, në anën e djathtë të revistës, ka një pamje të një skulpture prej guri punuar nga skulptori Agim Islamaj. E ka punuar para disa vjetësh me përkushtim: për gratë që janë prekur nga kanceri i gjirit, për ato që kanë ndërruar jetë nga kjo sëmundje dhe për të tjerat që çohen dhe bien me frikë se mos u shpërndahet edhe më tutje e keqja në trupin e tyre. Përkushtim dhe nderim tjetër, nga gratë për gratë dhe nga burrat për gratë, nuk ditëm të bëjmë sesa ka bërë Islamaj në vepër guri me çekan, daltë dhe limë dhe sesa kanë bërë të gjithë këta autorë dhe këto autore me shkrime të ndryshme.
Por, mund të bëjmë më shumë për gratë materialisht nëse keni gatishmëri dhe atë ndjesi sikurse e keni kur vizitoni të sëmurët në spital: mund ta shesim revistën dhe 30 për qind nga shitja e saj, aq sa na marrin libraritë për shitje të një ekzemplari, t’i japim për gratë që vuajnë nga kanceri i gjirit.
A jeni të gatshëm? Në rregull, pra.
Revistën, nga e premtja e ardhshme, të tre numrat, i gjeni në redaksinë e gazetës “Epoka e re”. Nëse shprehin gatishmëri edhe mediat e tjera për shitje të saj, jua dërgojmë aq ekzemplarë sa kërkojnë. Paratë nga shitja e numrave të revistës le t’ua japin vetë atyre vajzave dhe grave që vuajnë nga kanceri i gjirit – që njohin ose që ua propozon dikush.
T’ju them dhe këtë gjë.
Me të parin njeri që po e diskutoja dukjen e revistës ishte gruaja ime. Më tha: “E bukur duket, po ka në të ‘bukuri që vret’ dhe, që ata që e shohin, sidomos vajzat dhe gratë, mund të diskutojnë me vetveten po qe se duhet ta pëlqejnë dhe shpërndajnë. E pyeta: “A e di pse është bërë kjo skulpturë?” Më tha: “Për ta paraqitur hijeshinë e një pjese të trupit të gruas”. I thashë, ndër të tjera: “Edhe për t’i nderuar dhe kujtuar ato gra që vuajnë nga kanceri i gjirit, për shërimin e të cilave, për mbledhje të fondeve, do të jepja leje të zhvishesh edhe ty tash që je në ditët e fundit të lindjes së një vajze tjetër”.
Faleminderit çdonjërit autor që ka kontribuar për këtë revistë!