“Akademia” nuk është vetëm për akademikë
Intervistë me redaktoren e revistës për kulturë, gjuhë dhe media, “Akademia”, Shpresë Mulliqi
Shpresë, ditët e fundit ka dalë nga shtypi numri më i ri i revistës “Akademia”, e cila boton studime për gjuhën dhe mediet, por më shumë shkrime për kulturën, për lloje të ndryshme letrare. Sa ka qenë e vështirë të botohen këta numra me këtë madhësi dhe trashësi?
Mulliqi: Po, numri i gjashtë i revistës “Akademia” është dorëzuar në shtyp në fund të muajit korrik dhe ka dalë nga shtypi në fillim të këtij muaji. Kur u bashkuam dhe biseduam me kryeredaktorin e saj dhe me anëtarët e redaksisë për botimin e kësaj reviste në vitin 2017, atë ditë u morëm vesh që të punojmë shumë dhe të bëjmë një punë që edhe nuk është bërë më parë nga askush, po edhe ta mbajmë gjatë këtë lloj të botimit siç është sot, me këtë format dhe me këtë numër faqesh, me prezantim të vlerave të kulturës sonë dhe të huaj. Sigurisht, fillimi për bashkëpunim nuk ka qenë aq i lehtë sepse njerëzit fillimisht donin ta shihnin punën dhe shijen tonë. Ndërkohë, pas botimit të parë dhe të dytë e më tutje të revistës, interesimi për botim të shkrimeve nga fusha e kulturës, e gjuhës dhe e medias në revistë është shtuar shumë.
Kush ju ka ndihmuar për botimin e revistës?
Mulliqi: Tre a katër numrat e parë janë botuar me vetëfinancim të shtëpisë botuese “Armagedoni”. Pak përkrahje ka dhënë edhe Drejtoria e Kulturës e Komunës së Prishtinës sa për shpenzime të shtypit të disa ekzemplarëve, kurse tash e tutje do të na përkrahë Ministria e Kulturës, e cila, në bazë të kërkesës për përkrahje të botimit që i ka bërë shtëpia botuese, ka përkrahur pjesërisht kërkesën e botuesit. Megjithatë, sa më ka njoftuar botuesi, ende ministria nuk e ka ftuar për ta nënshkruar kontratën, me arsyetimin se njëherë nuk ka mundësi të pagesës. Shpresojmë se ministria do t’i kryejë sa më shpejt obligimet për të cilat është zotuar ndaj botuesit.
Sa bashkëpunëtorë ka “Akademia”?
Mulliqi: Bashkëpunëtorët e revistës janë të shumtë dhe janë nga vende të ndryshme të botës. Nëse flasim për autorë, janë mbi treqind që në gjashtë numra kanë dërguar shkrime për botim, disa prej të cilave nuk i kemi botuar për shkak se nuk u janë përmbajtur kritereve të revistës. Ndërkaq, nëse flasim për bashkëpunëtorë të rregullt, të cilët angazhohen për botimin e revistës, janë tridhjetë veta, duke numëruar në këtë numër edhe pesëmbëdhjetë përkthyes të përhershëm të cilët përkthejnë posaçërisht për revistë ese, intervista, tregime, poezi, reportazhe, studime, drama e lloje të tjera të shkrimeve, nga gjuha angleze, gjermane, italiane, serbe, kroate, sllovene, arabe, turke etj.
Përpos përurimit dhe publikimit në media në Kosovë, a keni bërë përurim të revistës jashtë Kosovës? Mulliqi: Sot, për ndryshim nga koha kur nuk i kishim mediat e sotme, kur nuk ishte as, ta zëmë, media juaj, mënyra e përurimit të një reviste, të një vepre a vlere letrare është e tjetërllojt. Botuesit, po edhe autorët, po i shmangen përurimit klasik të veprës, kurse po i prezantojnë veprat dhe vlerat e tyre nëpërmjet mediave televizive, elektronike, rrjeteve sociale sepse, duket se, po kanë efekt më shumë dhe shpenzime më pak. Ta marrim, sa për krahasim, një përurim libri që bëhej para luftës dhe një të një libri që bëhet sot. Nëse në atë përurim libri të bërë para njëzet e sa vjetësh kanë marrë pjesë njëqind veta, sot, nëpërmjet përurimit të këtillë të revistës nëpërmjet medies suaj, këtë incizim mund ta lexojnë e ta shohin pesë-gjashtë mijë veta vetëm në median tuaj, pastaj të njëjtin intervistë ka mundësi ta shpërndajnë edhe mediat e tjera dhe ta lexojnë e shohin edhe shumë e shumë njerëz të tjerë, të cilët ndërkohë informohen edhe nëpërmjet njëri-tjetrit për botimin e revistës. Dmth., mundësitë e përurimit të vlerave letrare sot janë shumë më të mira sesa kanë qenë dhe janë shumë të shpejta. Megjithatë, përurim klasik i kemi bërë në Itali. I ka bërë anëtarja e redaksisë, që është edhe përkthyese, Leonora Buçinca, me një shoqatë kulturore italiane, e cila, për bashkëpunimin me të, për prezantimin e poezisë italiane në gjuhën shqipe, na ka dhënë edhe mirënjohje.
Ku mund ta gjejnë blerësit “Akademinë” në Kosovë dhe jashtë saj dhe me çfarë çmimi?
Mulliqi: Në Prishtinë mund ta gjejnë në librarinë “Dukagjini” dhe në librarinë “Artini” , kurse në Prizren në librarinë “Altera”. Çmimi i saj është dhjetë euro. Asnjëherë s’mund t’i themi çmim i lartë për arsye se kjo revistë, përpos vlerave që prezanton, ka edhe shpenzime të mëdha. Më duhet t’jua përmend se shtypi i një ekzemplari të saj kushton nga 5.50 deri në 6.00 euro centë, kurse tridhjetetetë për qind nga shitja e çdo ekzemplari të saj i ndal librari. Fitimin tonë “të madh” le ta llogarisin dëgjuesit.
Ky që e kemi sot pranë është numri i gjashtë i revistës. Na flisni më shumë për këtë numër se çfarë përmban.
Mulliqi: Në secilin numër të derimëtashëm po bëjmë përpjekje ta ruajmë strukturën dhe ndarjen tematike të numrit të parë. Në këtë numër kemi botuar intervista, shkrime eseistike, kritika, tregime, poezi, dramë, shkrime nga fusha e gjuhës dhe e mediave. Shkrime të autorëve shqiptarë dhe të huaj, kryesisht nga letërsia.
Pse është më i veçantë ky numër prej të mëparshëmve?
Mulliqi: Përpos intervistës së Ali Aliut, do t’i veçoja edhe fragmentet e intervistave të Umberto Ekos dhënë disa televizioneve botërore të cilat nga gjuha italiane dhe angleze, për revistën “Akademia”, me leje të autorëve të tyre, i ka përkthyer anëtarja e revistës, Leonora Buçinca.
Kohë pas kohe në revistë keni botuar edhe shkrime të autorëve të rinj. Sa keni përfillur kriteret e revistës për botimin e tyre? Ia ka vlejtur t’i botoni shkrimet e tyre?
Mulliqi: “Akademia” nuk është një institucion vetëm për njerëz të moshuar, për ata njerëz që kanë kryer studime të masterit e të doktoratës e që janë bërë profesorë apo akademikë. “Akademia” nuk është revistë vetëm për akademikë. “Akademia”, sa është e këtyre, po kaq është edhe e djemve të rinj dhe të talentuar, të cilët ndihen mirë që u jepet mundësia të botojnë në revistë karshi autorëve më të mirë të letërsisë shqipe dhe të huaj. Natyrisht se ia ka vlejtur të botohen shkrimet e tyre përndryshe, po mos të vlenin, s’do t’i botonim sikurse që nuk i kemi botuar dhjetëra shkrime të doktorëve të shkencës e të krijuesve letrarë që shkruajnë dhe botojnë libra sa për t’u bërë të gjallë.
Sa kanë qenë cilësore shkrimet nga fusha e gjuhës që keni botuar në revistë?
Mulliqi: S’mund të them me saktësi se sa kanë qenë cilësore ato shkrime nga fusha e gjuhës që i kemi përzgjedhur për botim, sepse më mirë se unë këtë fushë e njeh kryeredaktori por, meqë autorët e atyre shkrimeve që i kanë dërguar për botim janë punonjës institutesh, që kanë botuar libra studimorë për gjuhën shqipe, s’ka dyshim që kanë qenë shkrime me interes për t’u botuar në revistë.
A botoni shkrime që janë botuar më parë në ndonjë revistë letrare a shkencore dhe a keni pranuar ndonjë të tillë në këta gjashtë numra?
Mulliqi: Shkrimet e autorëve shqiptarë nuk i ribotojmë asnjëherë. Vetëm kur nuk kemi dijeni për botimin e tyre e kur autorët, pas hulumtimit që bëjmë ne, nuk tregohen të sinqertë se e kanë botuar të njëjtin diku tjetër. Por, sa di, deri më tash nuk ka ndodhur kështu asnjëherë. Të autorëve të huaj, natyrisht se ribotojmë dhe ribotojmë shkrime, pas marrjes së lejes për përkthim dhe botim posaçërisht për revistë.
Flasim pak edhe për dukjen e revistës. Ballina është mjaft interesante. Kush e ka punuar?
Mulliqi: Për dukjen e revistës, të brendshme dhe të jashtme, përkujdeset botuesi, i cili punon me disenjatorin e revistës, Arditin, një djalë punëtor dhe ideator. Në kapakun para të revistës është pamja e pikturës së piktorit serb Paja Jovanoviç, me titull “Përgatitja e nuses shqiptare”, realizuar më 1886. Është vaj mbi kanavacë. Ndërkaq në kapakun prapa është pamja e pikturës e piktorit francez Jean Baptiste Camille Corot, “L’Albainse” (Shqiptarja), realizuar më 1872. Edhe kjo është realizuar me vaj mbi kanavacë. Meqë tjetër mundësi të paraqitjes së pikturës e të skulpturës e të llojeve të tjera të arteve të bukura, për shkak të shpenzimeve të mëdha, nuk po kemi, hapësirën këtyre arteve ua kemi lënë në kapakët e revistës. Edhe në numrat e tjerë ose do të prezantohet ndonjë pamje e pikturës, ose ndonjë pamje e skulpturës, grafikës, karikaturës etj. të ndonjë autori vendor dhe të huaj
Sipas kalendarit të publikimit të revistës, një herë në katër muaj, numri i radhës i bie që do të botohet në muajin dhjetor. A keni menduar ta botoni më shpesh apo më rrallë?
Mulliqi: Po, numrin e shtatë do ta botojmë në dhjetor, sepse numrin e pestë e kemi botuar në prill, të gjashtin në gusht e të shtatin, sikurse e përmendët, do ta botojmë në dhjetor, me këtë madhësi dhe trashësi sa i gjashti, me autorë të rinj dhe përkthime të reja, të cilët do të flasin për herë të parë në gjuhën shqipe. Ndërkaq, as s’do ta botojmë më shpesh e as më rrallë. Një herë në katër muaj mjafton.
Kur do të na ofroni mundësinë ta lexojmë revistën edhe online?
Mulliqi: Botuesi ka angazhuar një kompani për krijimin e uebfaqes së revistës dhe për mirëmbajtjen e saj. Nga viti tjetër do të mund ta lexoni edhe online, edhe fizikisht. Pra, shtypin e revistës, për shkak të vlerës që ka, të ruajtjes së trashëgimisë, s’do ta ndalim asnjëherë. Pse s’do ta ndalim? Sepse kini parasysh çfarë ndodhë sot me shkrimet e kulturës që publikohen në portale të lajmeve. Zhduken brenda orës, brenda minutës, brenda sekondës. Na humbet kontributi kulturor dhe shkencor dhe na humbin mend e kresë sa herë që na humbet malli. Këtë fjali, për mallin e humbur, e kanë thënë të moçmit, ata që janë provuar me të tilla gjëra, por më kujtohet kjo fjali e tyre sa herë që shkrimet e mia nuk i gjej më në internet.
Shpresa, ju falemnderit për intervistën dhe shumë suksese në punën tuaj!
Mulliqi: Shëndet dhe punë të mbarë paçi edhe ju! /Qendresa Rama/