“Akademia” përurohet në Itali
Lidhja e Shkrimtarëve Friuli-Venezia-Giulia dhe Shoqata Kulturore “Poezia dhe solidariteti”, në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Armagedoni”, dje (19 maj) në kafe librarinë më të famshme historike “San Marco” në Trieste të Italisë kanë përuruar revistën për kulturë, gjuhë dhe media, “Akademia”, me iniciativën e anëtares së redaksisë, poetes, përkthyeses dhe veprimtares Leonora Buçinca.
Hapjen e përurimit të numrit të katërt të revistës për kulturë, gjuhë dhe media, “Akademia”, e bëri anëtarja e redaksisë së revistës, Leonora Buçinca, e cila për numrin e katërt të revistës ka përkthyer nga dy poezi të njëzet poetëve italianë bashkëkohorë.
Ajo bëri me dije se interesimi i botuesit dhe i redaksisë është që një bashkëpunim i tillë kulturor, pos në Trieste, të realizohet edhe në qytete të tjera të Italisë, po edhe në shtete dhe qytete të vendeve të tjera botërore, pasi që kultura është ajo që i afron krijuesit, shtetet dhe shoqëritë.
“Jam e lumtur që për këtë numër kam përkthyer poezi të njëzet poetëve italianë. Pra, të paktën, njëzet prej jush, nëpërmjet poezisë, që disa muaj frymoni në shtëpitë e shumë kosovarëve. Po ashtu, më bëhet qejfi që edhe ju do ta keni në ambientin tuaj pamjen e portretit të Skënderbeut, që është në të dy kapakët e revistës, të cilin e ka punuar artisti me famë shqiptare, Agim Sulaj, i cili jeton në Itali. Po kaq mirë ndihem që ky numër i revistës u kushtohet dy prej figurave të mëdha të kombit shqiptar, Skënderbeut dhe Demaçit. Për Skënderbeun e di që ju kam folur dhe ju ka mësuar historia, kurse për Demaçin ju them se ai vuajti 28 vjet burgim nga regjimi serb për shkak të angazhimit për çështjen shqiptare, duke kërkuar liri për popullin shqiptar dhe duke i bërë me dije gjithë botës për egërsinë e pushtetit të huaj në Kosovë”, ka thënë anëtarja e redaksisë, Leonora Buçinca, duke u ofruar të pranishëmve bashkëpunim për numrat e ardhshëm të revistës.
Për revistën ka folur edhe prof. dr. Gabriella Valera Gruber. Ajo e përgëzoi shtëpinë botuese “Armagedoni” për idenë për themelimin e revistës dhe për publikimin e saj. Gjithashtu, falënderoi përkthyesen Buçinca për përkthimin dhe botimin në revistë të dyzet poezive të njëzet poetëve italianë. “Është e rëndësishme që kultura jonë të prezantohet në të Kosovës, veçanërisht ajo e viteve ’90 e tutje. Poezia dhe përkthimi afrojnë njerëz dhe kultura. Ja, na ka bërë bashkë”, ka thënë prof. dr. Gabriella Valera Gruber.
Përurimi i revistës u shoqërua edhe me disa pika muzikore nga dueti “Milk and Coffe”, nga Kristina Gerin dhe Emanuele Laterza, të cilët duket sikur ky përurim reviste i frymëzoi dhe motivoi për të ardhur në Kosovë për të organizuar një koncert në Prishtinë, pasi premtuan që shumë shpejt do të vijnë në Prishtinë për organizim të një koncerti.
Në fund të përurimit, poetët e prezantuar në këtë numër të revistës, Sandro Pecchiari, Cristina Gerin, Daniela Fogar, Donatella Bartoli, Fulio Segato, Graziella Valeria Rota, Serena Castro Stera, Eleonora Catanzaro, Alessandra Chiurco, Gabriella Valera etj. i lexuan poezitë e veta në gjuhën italiane, ato që janë përkthyer dhe botuar në revistë, kurse përkthyesja Buçinca ua lexoi në gjuhën shqipe me kërkesën e tyre.
Poetët e pranishëm në këtë përurim falënderuan shtëpinë botuese “Armagedoni” për punën e vyer, përkthyesen Buçinca për përzgjedhjen e poezive të tyre për përkthim në gjuhën shqipe dhe për prezantim në revistë dhe të njëjtës i kërkuan bashkëpunim për përkthim të veprave të tyre në gjuhën shqipe.
Prezantimi u zhvillua para një publiku italian, në gjuhën italiane, në kafe librarinë “San Marco”, e cila është themeluar në vitin 1914. Kjo kateteri/librari vazhdimisht ka qenë çerdhe intelektualësh, artistësh dhe poetësh. Është interesant të përmendet që në kafe librarinë “San Marco” vinin dhe shkruanin: Fulvio Tomica, Italo Svevo, Umberto Saba, James Joyce, Edoardo Weiss, Giani Stuparich, Virgilio Giotti, Claudio Magris, Giorgio Voghera, José Angel, Gonzàlez Sainz, Massimiliano Sartor, Alessandro Marzo Magno, Mauro Covacich etj.