“Akademia”, revistë e përkryer
Nga Ermal Hysi
Këndvështrim për revistën për kulturë, gjuhë dhe media, “Akademia”
“Akademia jonë është një revistë për kulturë, shkencë, gjuhë, art, arsim, media e të tjera. Derë e hapur për mendje të hapura, për njerëz të ditur e për krijues me vokacion”. Këto fjalë lexuam në parathënien e revistës “Akademia”, e cila hapi këtë “derë” për herë të parë, me numrin e saj të parë, në dhjetorin që sapo kaloi, në Kosovë dhe, pa dyshim, ishte kjo një ftesë që nuk mund të mos na grishte për më shumë njohje e hulumtim në faqet e saj. Që në pamjen fillestare të krijon bindjen e një procesi njohjeje të kompletuar e bashkëkohor mbi realitetin social, artin e letërsinë shqiptare e të huaj. Kemi të bëjmë me një botim të N. Sh. “Armagedoni” në Prishtinë dhe kryeredaktorit, Berat Armagedonit.
Që në numrin e parë, me më shumë se 560 faqe letërsi, sociologji, opinione, kritika, ese, përkthime, krijime në poezi e prozë, kjo revistë pretendon me të drejtë të zërë një vend nderi në panteonin e botimeve shqipe të këtij lloji. Ajo është një shoqëri e mirëfilltë elokuente dhe plot dritë për artdashësit si dhe një burim informacioni për ata që merren më seriozisht me këtë ndërthurje shkencash e arti që i paraprin kulturës së një populli. Prandaj dhe 10-vjetori i Pavarësisë së Kosovës nuk mund të mendohet të festohet më mirë përveçse me zhvillimin e vënien në dukje të potencialit intelektual e kulturor, që ngre premisa të reja dhe nivele më të larta, siç është kjo nismë dinjitoze.
Gjejmë kështu brenda kësaj reviste një panoramë të gjerë opinionesh dhe zanafillë debatimesh të frytshme.
Bajram Kosumi vjen me një shtjellim të shprehur thukët si një bisedim që lë mbresa për ardhjen deri më sot të shtetit, “Kultura shtetformuese shqiptare në dekadën e dytë të shekullit XXI”, ndërkohë që çdo njëri nga problemet që shtrohen kanë baza shumëdimensionale për t’u përpunuar në vëmendjen tonë qytetare.
Revista hapet me një ese të nobelistit Mario Vargas Llosa (laureat i çmimit Nobel për letërsi, 2010), e cila ka në rrethinat e veta një terren sa të vizituar dendur, aq edhe reliev-thyer aspak uniformë e përherë në shembje-ngritje si dukuri e faktorit kohë, me gjithë ç’sjell në shoqëri, shije dhe dije, pra një temë nga ku është thënë mjaft, por aspak mjaftueshëm kur bëhet fjalë për një trohallitje të tillë të mendimit dhe konceptimit. Të njëjtin pothuajse përkufizim do ta nënvizoja edhe për esenë e pëlqyer të Ardian Kyçykut, “Njeriu si peng” që, gjithashtu, duhet lexuar veçanërisht nga njerëzit e letrave (ashtu siç duhet bërë përgjithësisht me penat e zotërinjve Kyçyku).
Por, Llosa s’është i vetmi nobelist i letërsisë që vjen tek “Akademia”. Në rubrikën e prozës kemi Sinclair Lewis; përkthyer nga anglishtja nga Besim J. Kokollari, krahas emrave të tjerë të njohur, si: Charles Bukowski, përkthyer nga anglishtja nga Leonora Buçinca; Etgar Keret, përkthyer nga anglishtja nga Alfred Beka; Sllavko Pregl, përkthyer nga sllovenishtja nga Nikollë Berishaj; Çezare Paveze, përkthyer nga italishtja nga Renato Kalemi; Jean Yves Carlen, përkthyer nga frëngjishtja nga Tahir Dalipi si dhe shkrimtari i veçantë Alexandru Monciu-Sudinski, përkthyer nga rumanishtja nga Ardian Kristian Kyçyku, por dhe prozë në shqip nga Ragip Sylaj, Eris Rusi, Arlind Farizi.
“Akademia” ka edhe rubrikën në poezi, në të cilën ka botuar poezi të: Odiseas Elitis, përkthyer nga greqishtja nga poetja Armela Hysi dhe Jorgo Seferis, përkthyer nga greqishtja nga Brikena Qama. Krahas këtyre dy emrave, ka edhe poezi të poetëve Kostandin P. Kavafis (përkthyer nga greqishtja nga Llambro Ruci); Izet Sarajliq, përkthyer nga gjuha boshnjake nga Salajdin Salihu; Pier Paolo Pasolini, përkthyer nga italishtja nga Renato Kalemi; Jevgeni Jevtushenko, Sergei Esenin si dhe Ana Ahmatova, përkthyer të gjitha nga rusishtja nga poetja Drita Lazri; César Vallejo, përkthyer nga Azem Qazimi; Niels Hav, përkthyer nga danishtja nga Kujtim Morina.
Poezi edhe të poetëve shqiptarë si të: Erenestina Gjergji-Halili, Adem Gashi, Sali Bashota, Arif Molliqi, Isuf Sherifi, Mehrije Daci, Lulëzim Etemaj, Sadik Krasniqi, Shefqet Dibrani, Bujar Meholli, Brikena Qama, Albana Kozeli.
Interes të zgjon penelata historike e kësaj reviste me shkrimin e Salajdin Salihut “Sorgot, aristokracia shqiptare e Dubrovnikut”, por dhe me diskutimin e hapur në shumë plane dhe njëkohësisht brenda dhe jashtë vendit tonë – përderisa në gjithë botën moderne zhurmon debati për çlirimin e historisë nga qasjet subjektive – nga Ibrahim Gashi me titullin “Të rimenduarit dhe të rishkruarit e historisë sonë kombëtare”.
Dhe ndërsa filozofia si pjesë e pandarë e një ndërmjetësie konkluzive midis shkencës dhe artit, paraqitet e kualifikuar e cilësore me emrat e Hajdin Abazit, me shkrimin “Post e vërteta: ç’mund të mësojë filozofia nga arti” dhe Ali Pajazitit me “Dekadenca: trajtim nga këndi i Calinescut”.
Po të tillë artikuj gjejmë dhe në sektorin letrar Studime nga Zymer Ujkan Neziri, me titull “Mërgimi në eposin heroik legjendar shqiptar: martesa e kreshnikut me vajzën e bukur të kralit; nga Irena Gjoni me “Kontroversi i kultit të detit në Bregdetin e Jonit”; nga Albanë Mehmetaj me “Kokalari qindvjeçare”; nga Rovena Vata me “Roli i ëndrrës si element psikologjik në rrëfenjat e mitrush Kutelit”.
Pjesa e fundit e revistës, duke përligjur jo vetëm emrin “Akademia”, por edhe pretendimet e këtij botimi gjigant, si për nga volumi ashtu edhe për nga vlerat, e pashoqe në këto momente në botimet shqiptare, i është dedikuar arteve dramatike, ku kemi një shkrim nga Josif Papagjoni, “Shoqëria, morali, doktrina, njeriu”; nga Emin Z. Emini një studim me titull “Teatri epik i brehtit”; dhe “Dramatizimi në letërsinë shqipe, proces estetik apo pragmatik: rasti Kadare”, nga Donard Hasani.
Berat Armagedoni paraqitet me analizën e tij për dramën “Sfinga e gjallë” të Rexhep Qosjes, kurse Arian Krasniqi me studimin për shfaqjen e heroit tonë kombëtar në teatrin shqiptar, nga një ndër dramaturgët e parë shqiptarë, Andon Zako Çajupi, me titullin “Transfigurimi i Skënderbeut në personazhin me emrin Selim”.
Në rubrikën Gjuhë, Mentor Hajrizi bën një raport hulumtimi dhe këshillimi: “Përdorimi i fjalëve të huaja në raportimet e mediave të shkruara”, kurse Arsim Jonuzi një ndalesë interesante të emërtimeve shqipe të pesë kohëve të faljes islame. Në seksionin Media, Siobhan Mcgrath flet për “Teknologjitë e reja të medias në familje” përkthyer nga Shpresa Mulliqi, Muhamet Mavraj prezanton “Diçka për teorinë e ndarjes së pushtetit dhe praktikën e pushtetit të katërt”, ndërsa nga Ganimet Klaiqi publikohet një pjesë e shkrimit të tij “Njoftueshmëria në titujt e gazetave në Kosovë”.
Do ndalesha në mënyrë të veçantë në rubrikën Kritikë që po e lë për të fundit në këtë shkrim, për ta prezantuar sepse, përveç shkrimeve të ndryshme nga Shefkije Islamaj me “Poezia e Agim Vincës, kuptim dhe bukurzanim”; Bedri Zyberaj me “Anatomia e një trinie”; Dije Demiri-Frangu me “Anatomia e gruas në vargje”; Alma Lamçja me “Semiologjia dhe mesazhet e Pasolinit për shoqërinë tonë”; Klodian Briçi me “Poemat e shkurtra të Miltonit” dhe Jorida Sotiri me “Nusja e mrekullueshme” kemi edhe një shkrim kritik – “Dijetari largpamës”, nga i madhi Rexhep Qosja.
Akademiku më me emër i Kosovës shkruan për vendimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë që botoi dhe përuroi sivjet kompletin prej katër veprave të gjuhëtarit shqiptar Androkli Kostallarit dhe të një vepre kushtuar jetës dhe krijimtarisë së tij, ku shprehet, mes të tjerash, se shpreson se Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës në një të ardhme jo të largët të bëhen një.
E pra, e gjithë kjo përbërje plot peshë e rëndësi, me interes për lexuesin dhe njëkohësisht letrarët, artistët dhe studiuesit, “Akademia”, është një shoqëri e mrekullueshme, ngopëse, që mbush një mision madhor, ndaj s’na mbetet veç t’i urojmë jetë të gjatë e të ndritur. Sa më shumë lexues, sa më shumë autorë, bashkëpunëtorë e arritje!