Akademik Arsim Bajrami paralajmëron botimin e librit studimor “GJENOCIDI I SERBISË NË KOSOVË- aspekte juridike“
Akademiku Arsim Bajrami, njëri ndër juristët më të dalluar të Kosovës, së shpejti do ta botojë librin e tij studimor “GJENOCIDI I SERBISË NË KOSOVË- aspekte juridike“, njofton Epoka e re.
Libri i profesor Bajramit është fryt i punës së tij studimore disavjeçare dhe në fokusin qendror e ka argumentimin juridik të kryerjes së gjenocidit nga ana e shtetit të Serbisë kundër shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë.
Një synim tjetër i këtij studimi është tregimi i të vërtetës mbi luftës e drejtë dhe çlirimtare të UÇK-së në Kosovë, duke provuar juridikisht kryerjen e gjenocidit serb mbi shqiptarët e Kosovës, me qëllim të parandalimit të tendencave ndërkombetare për mohimin dhe relativizimin e këtij gjenocidi, ka njoftuar akademik Bajrami përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.
Në vijim, postimi i plotë i tij:
Të nderuar student, koleg dhe miq të dashur.
Pas një pune disavjeqare e përfundova studimin tim GJENOCIDI I SERBISË NË KOSOVË- aspekte juridike.
Ky studim pritet së shpejti të jetë në duart e lexuesve.
Objekt kryesor i këtij studimi është argumentimi juridik i realizimit të gjenocidit të Serbisë në Kosovë, me fakte juridike ndërkombëtare, me praktikën e së Drejtës Penale ndërkombëtare dhe jurispodencën e Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi.
Larg qasjeve emocionale dhe patriotike, studimi synon, që në mënyrë realiste me fakte konkrete juridike të dokumentojë para komunitetit vendor dhe ndërkombëtar, se krimet e kryera në luftën e Kosovës gjatë viteve 1998 – 1999 paraqesin implementimin faktik të gjenocidit të Serbisë në Kosovë.
Studimi i ka tri qëllime kryesore:
E para; të argumentojë ligjërisht se krimet serbe në Kosovë gjatë viteve 1998 – 1999 plotësojnë 5 kriteret e Konventës për Parandalimin dhe Denimin e Krimeve të Gjenocidit (KPDKGJ) të Asamblesë së Përgjithëshme të OKB-së për krimet e gjenocidit të vitit 1948;
E dyta; të paraqesë me fakte juridike se gjenocidi serb në Kosovë ka qenë një ndërmarrje e organizuar, planifikuar dhe implementuar nga shteti serb pëmes forcave ushtarake e policore, organeve shtetërore dhe udhëheqësve zyrtarë shtetëror e ushtarak,
E treta, studimi synon ta tregojë të vërtetën e luftës së drejtë dhe çlirimtare të UÇK-së në Kosovë, duke provuar juridikisht kryerjen e gjenocidit serb mbi shqiptarët e Kosovës, me qëllim të parandalimit të tendencave ndërkombetare për mohimin dhe relativizimin e këtij gjenocidi.
Studimi “Gjenocidi i Serbisë në Kosovë – aspekte juridike”, paraqet një hulumtim disavjeçar në grumbullimin dhe analizimin e burimeve vendore dhe ndërkombëtatre lidhur me gjenocidin serb në Kosovë, analizën ligjore të akteve juridike diskriminuese të Serbisë në Kosovë, të cilat shërbyan për shkatërrimin e autonomisë së Kosovës, shkatërrimin e rendit kushtetues të Kosovës, të përcaktuar me Kushtetuten e vitit 1974, vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe okupimin e plotë të Kosovës dhe kryerjen faktike të gjenocidit të Serbisë në Kosovë gjatë luftës së vitit 1998-1999.
Studimi do ta trajtojë gjenocidin serb në Kosovë, në tri faza kryesore:
Faza e parë; konceptimi ideor i strategjive të shtetit serb për gjenocid ndaj shqiptarëve në tri regjimet politike jugosllave, ku përfshihen programet kryesore nga shekulli XVIII e deri më sot;
Faza e dytë; legjslacioni diskriminues me të cilin u shkatrrua autonomia e Kosovës dhe u pregadit implementimi i gjenocidit dhe
Faza e tretë; periudhën 1998 -1999, kur Serbia ka krye krimet e gjenocidit në Kosovë.
Libri, ka mbi 700 faqe dhe krahas parathënies, përfundimit, rezymes dhe literaturës, i ka dhjetë kapituj. Parathënia dhe rezymeja e librit do të botohen në gjuhën angleze dhe frenqeze.
Falenderojë të gjithë koleget, bashkëpuntoret, profesoret, studentet, institucionet shkencore në Kosovë e Shqipëri për ndihmen e ofruar në përfundimin e këtij studimi.