Akademikët në Prishtinë diskutojnë për dëmet që shkaktoi Konferenca e Londrës
Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (AShAK) ka mbajtur të premten konferencën shkencore “Konferenca e ambasadorëve në Londër dhe shqiptarët”.
Frashër Demaj, kryetar i Këshillit Organizativ, ka folur për historikun e kësaj konference që ishte takim i gjashtë fuqive të mëdha të asaj kohe.
Ai ka thënë se Konferenca e Ambasadorëve në Londër nuk i ka respektuar të drejtat historike, etnike dhe vullnetin politik të shqiptarëve.
“Konferenca e Ambasadorëve në Londër, është mbajtur në vitet 1912-1913 dhe njohur ndryshe edhe si Konferenca e Paqes në Londër, ishte një takim ndërkombëtar i gjashtë fuqive të mëdha të asaj kohe, ajo filloj me kryengritjen e 1910, për t’u vendosur në kryengritjen e Shkodrës, kjo ishte ngjarje me rëndësi jo vetëm për shtetin Shqiptarë, por për të gjithë shqiptarët. Konferenca e ambasadoreve në Londër nuk i respektoi të drejtat historike, etnike, gjithashtu nuk u respektuan as shprehja e vullnetit politik të shqiptarëve”, ka thënë Demaj.
Ndërsa Beqir Meta, anëtar i Këshillit Organizativ, ka thënë se kompromiset që janë bërë në këtë konferencë nuk ishin në favor të shqiptarëve që ishin rreth 2 milionë banorë, raporton “EO”.
“Koha ka qenë ku ka pasur momente të favorshme për shtetin shqiptar, mbeti një kohe e shkurtër nga Lufta botërore, kompromisi i Londrës ishte një kompromis i përkohshëm. Shqiptarët ishin rreth 2 milionë banorë”, ka thënë Meta.
Në anën tjetër, sekretari Jusuf Bajraktari, ka pohuar se për shkak të vendimeve të kësaj konference jashtë kufijve kanë mbetur Kosova, Tivari, Plava, Gucia dhe shumë vise shqiptare.
“Është pa dyshim akti me sublim, për lirinë e pavarësinë, jashtë kufijve ngelëm Kosova, Tivari, Plava dhe Gucia, e shumë vise shqiptare”, ka thënë Bajraktari.
Konferenca e Londrës kishte filluar punimet në shtator 1912 në St James’s Palace nën drejtimin e Sir Edward Grey. Sesionet e tjera të konferencës kishin vazhduar më 17 dhjetor 1912, por ishin ndërprerë pa ndonjë konkluzion më 23 janar 1913, kur në Perandorinë Osmane ishte zhvilluar një grusht shteti.
Më 30 maj 1913, konferenca kishte rinisur punimet dhe pati nënshkruar Traktatin e Londrës, një marrëveshje sipas së cilës Perandoria Osmane hiqte dorë nga të gjitha territoret në perëndim të kufirit Enos-Midia. Pas shumë diskutimesh, më 29 korrik 1913, ambasadorët kishin marrë një vendim formal për të njohur Principatën e Shqipërisë si shtet sovran të pavarur nga Perandoria Osmane.
Si rezultat i presionit nga Greqia dhe Serbia konferenca ka marrë vendime që prekën gjysmën e territorit të Shqipërisë së pavarur, të banuar kryesisht nga shqiptarë etnikë dhe rreth 30 për qind e shqiptarëve mbetën larg kufijve të shtetit shqiptar të sapokrijuar. 40 për qind e popullsisë shqiptare ishte lënë jashtë kufijve të Principatës së Shqipërisë. Në veçanti Vilajeti i Kosovës i ishte dhënë Serbisë dhe Çamëria Greqisë.
Një komision special ishte ngarkuar për të përcaktuar kufirin shqiptaro-grek. Duke qenë i pamundur studimi i hartave etnografike, vendimi që kishte marrë konferenca ishte argumenti strategjik, ekonomik e politik. Ky vendim i ka dhuruar Greqisë Epirin Jugor, një tokë të banuar historikisht nga shqiptarë etnikë. Edhe pse morën shumë toka të banuar nga shqiptarë, aleatët ballkanikë mbetën të pakënaqur nga kongresi, dhe menjëherë filluan Luftën e Dytë Ballkanike. /EO