AKB-ja dhe Oda e Zejtarëve të Prizrenit nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi
Aleanca Kosovare e Bizneseve dhe Oda e Zejtarëve të Prizrenit kanë nënshkruar të enjten memorandum bashkëpunimi për të mirën e zhvillimit ekonomik lokal dhe kombëtar në të mirë të zejtarëve.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka thënë se bashkëpunimi dhe koordinimi i përbashkët do të shkon në drejtim të zhvillimit ekonomik në nivel qendror dhe lokal, duke mos e përjashtuar edhe sektorin e zejtarëve të Kosovës të cilët janë një nga hallkat e trashëgimisë ekonomike.
“Zejtarët i vlerësojmë si të rëndësisë se veçantë për arsye se zejtarët përpos që kanë mbajtur aktive ekonominë familjare dhe individuale, janë kontributdhënës në ruajtjen e traditës përmes zhvillimit të aktiviteteve të tyre. Tashme është koha që tani të zënë një vend të rëndësishëm në ekonominë kombëtare”, ka thënë Shahini.
Kryetari i Odës Zejtarëve të Prizrenit, Afrim Tejeci, ka thënë se janë duke fuqizuar misionin e zejtarëve në nivel lokal dhe atë kombëtar.
Ai ka thënë se marrëveshja e nënshkruar do të mbështet çdo iniciativë të zejtarëve të Prizrenit dhe me gjerë për të rritur zhvillimin dhe prodhimin e produkteve të ndryshme nga zejtaria për tregun e Kosovës.
“Prandaj nga sot rrugëtimi ynë dhe iniciativat tona do të mbështeten nga një partner me traditë 20-vjeçare siç është AKB-ja”, ka thënë Tejeci.
Të dy palët u pajtuan që së shpejti të marrin edhe iniciativa tjera të përbashkëta për fuqizimin e zejtarëve në nivel kombëtar.