AKB-ja: Maqedonia dhe Serbia në luftë për tregun e Kosovës
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka takuar të martën ambasadorin e Maqedonisë në Kosovë, Ilija Strashevski, me të cilin ka diskutuar për rritjen e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.
Kryetar i AKB-së, Agim Shahini, ka thënë se Kosova është bërë një vend atraktiv për investime vendore dhe të huaja. “Kosova dhe Maqedonia kanë shumë gjëra të përbashkëta dhe kjo është një mundësi e mirë për investime të reja dhe iniciativa të përbashkëta në të ardhmen”, ka thënë Shahini.
Sipas tij, shumë kompani të Maqedonisë në Kosovë janë lidere në disa sektorë.
Shahini ka theksuar se Maqedonia e ka humbur tregun nga viti 2011 e këndej kundrejt Serbisë. “Konkurrenca e ashpër që vjen nga Serbia i ka mposhtur produktet e bizneseve maqedonase. Edhe Maqedonia në heshtje sikur është pajtuar me një fakt të tillë. Maqedonia më shumë i ka dhënë rëndësi reformave fiskale dhe investive në vend se sa kthimit të tregut në Kosovë”, ka thënë Shahini.
Ai ka pohuar se është e rëndësishme për Kosovën ta rritë eksportin drejt Maqedonisë si produkt me cilësi të lartë.
Kurse, ambasadori i Maqedonisë në Kosovës, Ilija Strashevski, ka thënë se shteti i tij është duke e reformuar sistemin dhe politikat investive. “Së fundi oferta e subvencionimit për investitorët deri në 50 për qind është oferta më atraktive. Nga kjo presim që shumë investitorë të Kosovës të vijnë në Maqedoni”, ka thënë Ilija Strashevski.
Ai ka falënderuar AKB-në për bashkëpunimin tradicional që ka me Ambasadën e Maqedonisë në Kosovë.