AKB-ja: Mbi 200 mijë qytetarë u larguan nga Kosova në 5 vitet e fundit
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka bërë me dije se vetëm në pesë vitet e fundit, nga Kosova kanë ikur mbi 200 mijë qytetarë, në kërkim të një jete më të mirë.
“Një studim i AKB-së nxjerr një të keqe tjetër të madhe, ku vetëm për 5 vitet e fundit ikën nga Kosova mbi 200 mijë qytetarë për të kërkuar jetë më të mirë standard jetësor, shkollim e sigurime shëndetësore”, ka njoftuar AKB-ja.
Sipas AKB-së, mbi 1 milion qytetarë të Kosovësjetojnë jashtë vendit.
“Migrimi i Kosovarëve ka qenë i vazhdueshëm që nga vitet e ’70-ta por shumica kanë ikur në vitet 1990-2000 ku mesatarisht ikën mbi 450 mijë, atëherë ishte represioni jugosllav dhe kishte plotë arsye të ikën nga Kosova”, ka njoftuar AKB-ja.
Në këtë kontekst, kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka thënë se trendi i ikjes nga Kosova tashmë është i njëjtë si para luftës, veçse motivet ndryshojnë.
“Atëherë ishin të frikës nga qeveria serbo-jugosllave e sot që qytetarët janë të zhgënjyer nga Qeveria e Kosovës që nuk po ndryshon asgjë në të mirë të rritjes se motivit për të gjetur një mundësi sa do të vogël për të jetuar në Kosovë”, ka thënë Shahini.