AKB-ja: Mbi 250 mijë bashkatdhetarë ishin në Kosovë gjatë verës, shpenzuan 750 milionë euro
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), ka mbajtur një konferencë për medie me temën: “Kontributi ekonomik i diasporës kosovare, Vera 2023”. Në këtë konferencë është prezantuar studimi hulumtues rreth efektit ekonomik të diasporës për periudhën 15 qershor deri më 15 shtator të këtij viti.
Kreu i AKB-së, Agim Shahini, ka thënë se në këtë periudhë në Kosovë kanë ardhur mbi 250 mijë bashkatdhetarë, të cilët gjatë qëndrimit dyjavorë kanë shpenzuar rreth 2 750 euro.
Sipas tij, një mijë deri në tre mijë euro kanë shpenzuar 55 për qind të mërgimtarëve. Ndërsa tre mijë deri në pesë mijë euro, sipas Shahinit kanë shpenzuar 35 për qind e tyre dhe mbi pesë mijë euro kanë shpenzuar mbi pesë për qind të mërgimtarëve
Shahini ka sqaruar se të gjitha shpenzimet e mërgimtarëve kapin vlerën e 750 milionë eurove. “Mërgata shpenzoi 2 750 euro përafërsisht në Kosovë gjatë qëndrimit në Kosovë. 750 milionë shpenzoi para kesh në Kosovë këtë verë. Kjo është infuzioni më i madh i dhënë ekonomisë”, ka thënë Shahini.