AKB-ja: Ushtria dhe taksa prej 100 për qind, suksesi më i madh i Kosovën në vitin 2018
Aleanca Kosovare e Biznesit (AKB) ka mbajtur konferencën e fundit për vitin 2018.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini ka thënë se viti 2018 ka qenë vit i tkurrjes ekonomike dhe diplomacisë politike, pasi sipas tij ka pasur tkurrje të investimeve.
Sipas Shahinit e gjithë kjo ka ardhur si rezultat i politikave jo të mira për zhvillim ekonomik të vendit, por edhe rezultat i politikave diplomatike të cilat nuk ishin fuqizuar në arenën ndërkombëtare, duke mos i sjellë Kosovës njohje të reja
Më tutje, Shahini ka thënë se sukseset me të mëdha të Kosovës për vitin 2018 kanë qenë themelimi i ushtrisë dhe vendosja e taksës ndaj produkteve me origjinë nga Serbia.
“Vendi ka shënuar edhe suksese të ndryshme sidomos me krijimin e mekanizmave shtetërorë. Suksesi më i madh i këtij viti ishte themelimi i ushtrisë. Po ashtu edhe vënia e taksës 100 për qind ishte një sukses tjetër i rëndësishëm, ku ekonomia e vendit ka arritur të rritet në të gjitha fushat, sidomos të sektorit prodhues. Janë rritur edhe shkëmbimet tregtare me Shqipërinë dhe me disa vende mike”, ka thënë Shahini.