AKB-ja: Mbi 60 milionë euro bizneset dhe qytetarët shpenzuan për viza
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka përshëndetur rekomandimin pozitiv të Komisionit Evropian për liberalizmin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka thënë se humbjet e bizneseve dhe qytetarëve që nga viti 2016 e këndej kapin vlerën rreth 60 milionë euro, të cilat sipas tij kanë mundur të evitohen me punën më të përgjegjshme të institucioneve të Kosovës për t’i përmbushur kushtet dhe kriteret të cilat padrejtësisht BE-ja ia pati rekomanduar Kosovës.
“Liberalizimin e vizave për të cilën ende nuk kemi datë se kur do të fillojë së zbatuari ne nuk duhet ta marrim si privilegj për kosovarët, por si një barazi e vonuar me vendet e Ballkanit, për të cilën Kosova ishte i vetmi vend i izoluar. Për vonesat rreth liberalizimit të vizave bizneset dhe qytetarët duhet ta kërkojnë përgjegjësinë në institucionet e vendit, për të cilat i kemi votuar dhe mandatuar me votë. Pra bizneset kërkojnë përgjegjësi për vonesa dhe humbje milionëshe për shkak të izolimit që neve na është bërë padrejtësisht nga BE-ja, por gjithmonë është adresuar përgjegjësia për mospërmbushje të kritereve për liberalizim të vizave në drejtim të institucioneve të Kosovës”, është thënë në komunikatën e AKB-së.
Sipas kësaj komunikate, me liberalizimin e vizave vendi ynë do t’i kursejë mbi 20 milionë euro të shpenzuar në baza vjetore.
“Shpresojmë që në vitin e ardhshëm bizneseve dhe qytetarëve të Kosovës do t’ju hapet perspektiva e re për të lëvizur lirshëm për biznes, studime, aktivitete kulturore dhe sportive, vizitat familjare por edhe shërbime shëndetësor për të cilat qytetarët kanë vuajtur për mungesë të vizave. Vendi jonë do t’i kursejë mbi 20 milionë euro të shpenzuar në baza vjetore për t’i marrë vizat për biznese”, është thënë në komunikatën e AKB-së.
/Epoka e re/