AKB: Më shumë se 30 kompani nga Kosova promovojnë produktet e tyre në Antali
Një delegacion i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), i kryesuar nga Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve Agim Shahini, në kuadër të Javëve të Biznesit Kosovar po marrin pjesë në Panairin Ndërkombëtar “Anfaş Foods Products”.
“Ky Panair ka filluar nga data 17-20 Janar 2018, në Antali ku po marrin pjesë më shumë se 300 kompani nga sektorë të ndryshëm, kurse vetëm nga Kosova janë më shumë se 30 kompani të cilat po tentojnë të gjejnë rrugë te reja komunikimi dhe bashkëpunimi në të mirë të avansimit të teknologjisë prodhuese, si dhe rritjes së eksportit drejt Turqisë si një fuqi e madhe ekonomike”, thuhet në komunikatën për medie të AKB-së.
Sipas kësaj komunikate, vlen të theksohet se disa kompani kosovare pjesëmarrëse në këtë panair janë para nënshkrimit të disa marrëveshjeve bilaterale me partnerët turq.
“Ndërsa disa kompani nga Turqia kanë shpreh gatishmërinë ta vizitojnë Kosovën me interes për të parë mundësit për investime të reja. Delegacioni i Kosovës kësaj radhe po promovon më shumë edhe legjislacionin e ri kosovar për investime i cili ka hy në fuqi nga 1 janari 2018, e në theks të veçantë Ligji për Investime Strategjike e që Kosova i mundëson investitorëve të huaj që të kenë lidhje direket me Qeverinë e Kosovës pa ndërmjetësues që kjo promovon edhe siguri e seriozitet nga ana e Institucioneve te Kosovës për investime të reja që Kosova i mirëpret”, thuhet në komunikatën e AKB-së.