Kërkohet të hiqen kontrollet dhe taksat e dyfishta në kufirin Kosovë – Maqedoni
Një delegacion i bizneseve i kryesuar nga Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, është pritur nga zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Fatmir Bytyqi, ku është biseduar për mundësinë e rritjes së bashkëpunimit mes bizneseve të dy shteteve.
Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Fatmir Bytyqi, ka thënë se AKB-ja është një shembulli i mirë që lobon dhe promovon bizneset në tërë Ballkanin për të mirën e tyre kapitale.
“Mirëpresim çdo iniciativë dhe investim të bizneseve të Kosovës në Maqedoninë e Veriut, sepse ne kemi shumë hapësira dhe lehtësira për çdo investitor. Në këtë drejtim në Ballkan jemi nder të parët si shtete që ofrojmë kushte dhe lehtësira për bizneset”, është shprehur ai, duke shtuar se Maqedonia e Veriut ofron parcele dhe infrastrukturë ligjore dhe fizike të sigurt për investime.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka thënë se gatishmëria e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për bashkëpunim me sektorin privat është shembull i mirë.
Ai ka thënë se tregu dhe bizneset e Kosovës janë shumë atraktive, pasi po krijojnë partneritet me kompanitë e Maqedonisë falë edhe autostradës shumë të mirë që ka Kosova.
“Shpejtësinë e qarkullimit të bizneseve, kapitalit dhe qytetarëve mes dy shteteve tona, po e ngadalësojnë kontrolli dhe taksat e dyfishta doganore dhe policore në kufirin në mes të popullatës sonë, prandaj kërkojmë nga ju t’i hiqni këto ndalesa të dyfishta të panevojshme. Si model kemi tash kufirin Kosovë – Shqipëri, por edhe vendet e Evropës”, ka thënë Shahini.