AKB-ja: Ushtria e Kosovës është siguri e madhe për investitorë
Promovimi i prodhimeve vendore ka vazhduar në qendrën tregtare “Plus Center”, në Ferizaj, organizuar nga Aleanca Kosovare e Bizneseve në kuadër të “Javëve të Biznesit Kosovar 2018” me moto: Unë Konsumoj Produkte Vendore, Po JU?.
Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, më këtë rast ka thënë se sot jo vetëm ky biznes, por të gjitha bizneset e Kosovës e ato të huajat që janë e do vijnë në vendin tonë janë edhe më të sigurta, pasi tashmë kemi edhe Ushtrinë e Kosovës. “Ushtria e Kosovës, nga sot do të jetë siguri edhe më e madhe për investitorët dhe se tash investitorët do të jenë edhe më të sigurte”, u shpreh Shahini.
Ai më tej shtoi se kjo qendër ishte thuajse e vetmja në vend që u zhvillua si është më miri pa produkte serbe.
Sipas tij, qytetarët e Kosovës, duhet konsumuar edhe më shumë prodhime vendi, ku pas vënies së taksës ka pasur rritje të prodhimtarisë vendore 25 për qind, punësim e zhvillim.
AKB po vazhdon “Javët e Biznesit Kosovar 2018” me moto: Unë Konsumoj Produkte Vendore, Po JU? Tash 16 vjet dhe nuk do të ndalemi.
Zëvendësministresh e Tregtisë e Industrisë, Arbreshë Krasniqi, ka deklaruar se pas masave ndaj produkteve serbe nga ne, prodhimtaria vendore ka nisur të zhvillohet edhe më fuqishëm. Ajo kërkoi konsum të prodhimeve vendore e të cilat janë më cilësore se ato të importuara.
Ndërkaq, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Qemal Minxhozi, ka thënë se marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Shqipërisë e Kosovës kanë shënuar rritje dhe duhet që tashmë edhe më shumë të ketë prodhime shqiptare andej e këndej.
Sylejman Neziri, pronar i Qendrës Tregtare “Plus Center”, falënderoi institucionet për marrjen e vendimit ndaj prodhimeve serbe 100 për qind. Ai tregoi se marketi i tij ishte dhe do të mbetet ndër marketet kryesore të produkteve vendore. Sipas tij, produktet serbe asnjëherë nuk i kanë pasur në shitje.
Drejtori i Zhvillit Ekonomik në Komunën e Ferizajt Zekir Bytyqi, ka thënë se përkrahja ndaj bizneseve ka rolë të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit, fuqizimin e rritën e prodhimtarisë vendore. “Ne si komunë, kemi përkrahur gjithnjë dhe do të vazhdojmë mbështetjen edhe në të ardhmen të prodhuesve vendor që të fuqizojmë e krijojmë edhe më shumë vende të reja pune, e cila tashmë pas vënies së taksës nga institucionet veç se ka ndodhur”, u shpreh Bytyqi.
Ai bëri thirrje jo vetëm ferizajasve, por gjithë qytetarëve shqiptarë për konsum të produkteve vendore me qëllim të zhvillohemi edhe më shumë si vend.
Ndërkaq, në fund Lumnije Ajdini menaxhere e përgjithshme e AKB-së prezantoi produktet vendore që po ekspozohen sot. Ajo bëri thirrje për konsum të prodhimeve vendore, ku me konsumimin e tyre rriten prodhuesit e Kosovës si rezultat do të hapen vende të reja pune që do ndikojnë në zhvillimin ekonomik të gjithëmbarshëm të Kosovës.