AKI mohon përfshirjen në skandalin e RTK-së, Musliu: Prokuroria të intervistoj Rilind Gërvallën
Botimin e lajmit të rremë të Sllobodna-Bosnës, Rilind Gërvalla, drejtori i RTK-së, ka provuar të arsyetojë se gjoja e ka marrë me direktivë të Agjencionit Kosovar për Inteligjencë, ka kuptuar Nacionale nga burime të mirinformuara brenda Menaxhmentit të RTK-së.
Këtë, Gërvalla, e ka thënë në mbledhjen katër orëshe të Bordit të RTK-së. Nacionale ka provuar të merr procesverbalin e takimit ku evidentohet kjo, por na është thënë se “ende nuk është gati”.
Por, edhe në pyetjen drejtuar Gërvallës ai s’e mohon ta ketë implikuar AKI-në çështjen e lajmit të rremë, dhe na dërgoi një link të YouTube.
“Nëse e kam përmendë AKI-në, ka qenë edhe në kontekstin se një tjetër afarist i përmendur këto ditë, z.Berat Buzhala, ka qenë subjekt i hetimeve të AKI-së në kohët e qeverive të kaluara”, tha ai për Nacionalen dhe na bashkangjiti këtë LINK.
Deklarata e Rilind Gërvallës doli të jetë një e pavërtetë e madhe, ku AKI e mohoi të jetë e përfshirë në çfarëdo mënyre me lajmin e rremë dhe skandalin e RTK-së, konfirmoi Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrje të AKI-së, Ganimete Musliu, në komunikimin e saj me drejtorin e AKI-së
AKI i ka dërguar përgjigje zyrtare Musliut se nuk janë të përfshirë në këtë rast.
“Si kryetare e Komosionit Parlamentar për Mbikqyrjen e AKI-së, pas daljes në publik të pretendimeve se AKI është e përfshirë në skandalin e RTK-së në sulmin ndaj mediave Nacionale dhe Periskopi, sot kam komunikuar me Drejtorin Petrit Ajeti për tu informuar për vërtetësinë e lajmeve lidhur me përfshirjen e AKI-së në këtë skandal”, ka shkruar Musliu.
Ganimete Musliu konfirmoi se AKI nuk ka të bëjë gjë me rastin derisa ftoi Prokurorinë Speciale të intervistojë Rilind Gërvallën, për dëmtim të reputacionit të agjencisë dhe dëmtim të sigurisë nacionale.
“Në bazë të përgjigjejes zyrtare të Drejtorit Ajeti, deklaroj se AKI nuk është e përfshirë dhe nuk ka të bëjë me këtë rast. Si kryetare e Komisionit Mbikqyrës Parlamentar ftoj Prokurorinë Speciale të intervistoj Drejtorin e RTK 1, Rilind Gërvallën dhe të zbardhë këtë rast, përndryshe kjo çështje po e dëmton jo vetëm reputacionin e AKI-së, por indirekt edhe sigurinë nacionale!”.
Siç ka kuptuar Nacionale, Gërvalla bordit të RTK-së i është arsyetuar me atë se lajmin e madh të rremë e ka marrë nga AKI-ja. Në atë lajm ku, pa asnjë provë, faktë, evidencë, shifër objektive, apo çfarëdo gjëje minimale të prekshme, akuzohet gazeta Nacionale nga një burim anonim kosovar, se është ofruar në shërbim të shtetit serb.
Pjesa dërmuese përbërëse e televizionit publik është distancuar nga ky lajm; i cili ka shkelur çdo normë, rregull, standard e etikë profesionale e gazetareske.
Çka është fjala fije-për-pe?
Nacionales i kanë mjaftuar vetëm një orë kohë të gjejë regjsitrin e “lajmeve të rreme”, “manipulimin me fakte”, “dezinformatat”, që janë prodhuar ndër vite nga ‘Slobodna Bosna’.
Një kërkim i thjesht në internet, një identifikim i platformës së kontrolluesve të certifikuar të fakteve në atë vend – siç ka në çdo vend – dhe shfletimi i asaj platforme që i ka të gjitha të listuara.
Bëhet fjalë për platformën “Raskrinkavanje”, anëtare e certifikuar e Rrjetit Evropian të Kontrolluesve të Fakteve, e certifikuar e Rrjetit Ndërkombëtar të Kontrolluesve të Fakteve, dhe e certifikuar nga platforma “Meta” (që ka në pronësi Facebook-un, Instagram-in dhe WhatsApp-in) për kontrollim të fakteve.
Vetëm një orë në këtë platformë kredibile do t’i mjaftonin gjithësecilit – edhe atij më të patrajnuarit – për të parë se për çfarë mediumi bëhet fjalë.
E listuar në rubrikën “Red Flag lista medija” që përbën alarm të kuq të lajmeve të rreme.
Në viti 2024 “Slobodna Bosna” numëron 63 artikuj “dezinformim”, 44 artikuj “manipulim të fakteve”, dhe 15 artikuj “lajme të rreme” – për të vazhduar edhe me mbi 100 sosh lajme tjera “raportim të anshëm, teori konspirative, informacione të paverifikuara (etj).
Më 2020 “Slobodna Bosna” numëron 23 artikuj si “shpërndarje e lajmeve të rreme”, 36 artikuj si “dezinformim”, dhe 12 artikuj si “manipulim të fakteve”, përtej artikujve të tjerë si “pseudoshkencë, teori konspirative”.
Pra, vetëm për një orë këto të dhëna dalin në dritë të diellit. Që kjo media është në kategori me mediat më famëkeqe në rajon si “Alo”-ja serbe, “Espreso”, dhe “Originalno”.
Drejtori–anëtar i Vetëvendosjes–Rilind Gërvalla, mediumit “kallxo.com” i tha që nuk do t’i mshel sytë ndaj raportimeve të tilla si ajo e Sllobonda Bosnës që ndërtoi të ashtuquajturin “hulumtim” pa asnjë provë, fakt, evidencë, shifër objektivi, asgjë të matshme e të prekshme që të përdoret për bazë qoftë edhe minimalisht profesionale e gazetareske, ku u sulmuan Nacionale dhe Periskopi mbi bazën e një thashethemnaje anonime “nga bashkëbiseduesit tanë nga Kosova”.
Kuptimësisht, “bashkëbisueduesi i tyre nga Kosova”, mund të jetë praktikisht çdo kush.