Akil Gjakova nuk dorëzohet: Një ditë do ta fitoj medaljen olimpike
Xhudisti Akil Gjakova ka pasur paraqitje të mirë në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, por ka mbetur pa medalje. Gjakova arriti deri në repesazh për të luftuar për medaljen e bronztë, por fatkeqësisht pësoi në ndeshjen e parë të repesazhit. Ai ka thënë se fati sportiv nuk ishte në anën e tij për të fituar medaljen Olpimpike, por është zotuar se nuk do të dorëzohet dhe se një ditë do të arrijë të fitojë këtë medalje. “Përfunduan edhe Lojërat Olimpike ‘Paris 2024’. Fatkeqësisht me fatin e keq iku edhe shanse për të fituar medaljen olimpike. Medalje kjo që kurrë me parë nuk ka qenë me afër meje se tani, por fati sportiv ma mori nga dora. Megjithatë, nuk ma mori ëndrrën që unë një ditë ta kem edhe këtë medalje, e cila është synimi im jetësor. Unë kam filluar të stërvitem në sportin e xhudos, në vitin 2002, me trajnerin tim Driton Kuka. Që atëherë e deri sot kam bërë çdo gjë nga vetja të arrijë këtu. Natyrisht kam pasur fatin ta kem trajnerin më të mirë në botë, në krahun tim. Atij, familjes time, qytetit tim dhe Republikës së Kosovës, ia dedikoj të gjithë të arriturat e mija”, ka thënë Gjakova, i cili me pas ka thënë se xhudos i ka dhënë të gjitha: kohën, fokusin, dedikimin, sakrificën dhe përkushtimin e duhur. Derisa thotë se edhe xhudo i ka sjellë atij shumë, por jo mjaftueshëm. “Ende kam punë për të bërë”, ka dedikuar Gjakova.
Xhudisti pejan me pas ka folur për nivelin e sportit ku ka garuar. Sipas tij për të qenë sportist i nivelit të tillë para se gjithash, duhet të jesh një karakter i vërtetë, të kesh një disiplinë, regjim dhe kulturë tejet të lartë dhe pastaj fillon dhe vjen në shprehje puna dhe të arriturat. “Për ta prekur këtë nivel nuk është aspak e lehtë, sepse ky nivel me bën sportistin me kompetitiv në Republikën e Kosovës! Një xhudist fillon ditën në ora 05:00 për stërvitjen e mëngjesit. Për t’u kthyer në shtëpi dhe për ta mbyllur ushqimin e zgjedhur. Duke bërë gjumin me minuta dhe për tu përgatitur për stërvitjen e radhës. E kështu me radhë. Pa parashikuar asnjë herë kushtet, faktorët e jashtëm dhe rrethanat e paparashikuara: lëndimet, sëmundjet, problemet dhe çështjet e tjera të cilat na rrethojnë si sfida të jetës”.
Sukseset e Gjakovës janë të mëdha, pothuajse të prekshme për sportin e Kosovës. Ai është kampion Evropian (U18), kampion Evropian (U23-Gior 2018), kampion Evropian (Lisbona 2021). Gjithashtu ka medalje të artë në Lojërat Mesdhetare (Tarragona 2018), si dhe medalje të artë edhe në Grandslamin në Paris (2018). Akili ka fituar medalje të artë edhe ne “grand prix”. Medalje e bronzta nuk mungojnë në sirtarin e Akilit, kurse Lojërat Olimpike “Tokyo 2020” e ka zënë vendin e shtatë si dhe suksesin në “Paris 2024”.
“Këto janë sukseset e mija të cilat nuk mi ka falur askush, por janë arritur në saje të një sakrifice të cilën e di veç unë, trajneri im dhe familja ime”.
Akil Gjakova është krenar që e ka përfaqësuar Kosovën dhe kombin shqiptar në ngjarjen me të madhe sportive në botë. “Jam thellësisht krenar për kombin tim gjithandej botës, të cilët me kanë frymëzuar dhe motivuar jashtëzakonisht shumë me mesazhet që me kanë dërguar. Kam qenë i nderuar të ju përfaqësoj dhe u jam mirënjohës për përkrahjen fanatike qe ma keni dhënë. Nuk ka qenë e lehtë norma olimpike dhe pjesëmarrja në Paris. Lere pastaj gara më më të fortit e botës, por ka qenë një eksperiencë të cilën do ta ruaj, do ta kaliti dhe do ta shfrytëzoj që të bëhem edhe me i fortë për garat që do te pasojnë tutje”, ka shtuar Gjakova.
Xhudisti Gjakova me pas ka bërë edhe një premtim për të ardhmen: “Një gjë jam shumë i sigurt. Do të punoj edhe tri herë më shumë që në kampionatin e ardhshëm të botës dhe në olimpiadën e ardhshme të jam më i fortë në të gjitha aspektet. E di që në sport përvoja dhe eksperienca e kanë fjalën kryesore në garat si këto në Olimpiadë, por e di se deri atëherë unë do t’i kem të dyja. Tokion dhe Parisin, do t’i përdori mjeshtërisht në mendjen dhe punën time për ta trasuar suksesin për të cilin jam sakrifikuar gjithë këto 22 vite pa ndalur asnjë moment. Jam shumë i bindur se më ndihmën e Zotit, do ta bëjë një gjë të tillë. Unë besoj se sakrifica ime herët a vonë do të shpërblehet, ndërkaq, do ta plotësoj absolutisht çdo gjë që varet nga ana ime, për tu përmbushur. Deri atëherë na pret pune e madhe. Për ta mbyllur këtë dedikimin për ju unë kam disa fjalë për ata të cilët, nuk pushojnë asnjëherë duke me përkrahur pa asnjë rezervë. Falënderoj përzemërsisht trajnerin tim Tonin, Federatën e Xhudos, shtetin tim për përkrahjen si dhe familjen time dhe te gjithë ata që besuan tek unë. Unë do të rikthehem më i fuqishëm”.
/Veton ZYMBERI/