![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2020/12/fg.jpg)
AKIS kërkon krijimin e grupeve punuese për parandalimin e plaçkitjes të bankave
Asociacioni Kosovar i Industrisë Private për Siguri (AKIS) ka reaguar sot ndaj rasteve të fundit të plaçkitjeve në të cilat kishte edhe gjuajtje me armë zjarri.
AKIS me këtë rast shpreh shqetësimin e saj të thellë mbi ngjarjet e fundit të plaçkitjeve dhe thyerjeve/eksplodimeve në objektet e institucioneve financiare bankare dhe jo bankare, si dhe gjuajtjen me armë zjarri në drejtim të punonjësve të sigurimit dhe zyrtarëve policorë.
Si dukuri shqetësuese, në ngjarjet e fundit, plaçkitësit përveç synimeve për arritjen e qëllimit të tyre të plaçkitjes, kanë gjuajtur me armë zjarri në drejtim të shërbyesve të sigurisë, me ç’ras, është rrezikuar rëndë jeta e punonjësve të sigurimit dhe zyrtarëve policor, thuhet në reagim.
Shoqata AKIS kërkon nga Ministria e Punëve të Brendshme që në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Shoqatën e Kompanive të Sigurimit (AKIS), me urgjencë të krijojnë grupe punuese për të punuar mbi masat e nevojshme për parandalimin e ngjarjeve të ngjashme dhe zbardhjen e rasteve të fundit.
AKIS shprehet e gatshme të jep kontributin e saj në këtë drejtim, me qëllim të parandalimit të këtyre dukurive dhe krijimin e kushteve të sigurisë.