AKK-ja dhe AIP zotohen për bashkëpunim për ruajtjen e të dhënave personale
Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Yll Buleshkaj, është takuar të hënën me komisionaren për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva-Dermaku, me të cilën ka diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit mes këtyre dy institucioneve për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit dhe ngritjen e transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve për forcimit dhe ngritjen e llogaridhënies dhe transparencës së institucioneve.
Drejtori i AKK-së, Yll Buleshkaj, ka thënë se prioritet për realizimin e fushëveprimit të Agjencisë Kundër Korrupsionit për parandalim dhe luftim të korrupsionit janë transparenca dhe llogaridhënia e institucionit, në veçanti bashkëpunimi me mediet dhe organizatat joqeveritare, gjithnjë brenda kornizave ligjore, duke ruajtur dhe trajtuar me kujdes konfidencialitetin e rasteve dhe informatave që janë të garantuara e ligj.
Në anën tjetër, komisionarja për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva-Dermaku, e ka njoftuar drejtorin e AKK-së, Yll Buleshkaj, për veprimet dhe vendimet e AIP-së gjatë monitorimit të zbatimit të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike dhe Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, ndërsa ka theksuar se bashkëpunimi ndërinstitucional është i domosdoshëm për ta respektuar në përpikëri kornizën ligjore që lidhet me llogaridhënien dhe transparencën dhe në mënyrë paralele duke garantuar ruajtjen dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
Në takimin mes dy udhëheqësve të institucioneve të pavarura u diskutua edhe për procesin e deklarimit të pasurisë.
Drejtori i AKK-së, Yll Buleshkaj, ka thënë se në raport të zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, me rastin e publikimit të regjistrave të deklarimit të pasurisë për afro 5 000 zyrtarë të lartë publikë, AKK-ja do të veprojë me përpikëri maksimale që të ruhen të dhënat personale të subjekteve deklaruese gjatë publikimit të deklarimit të pasurisë, ashtu siç është përcaktuar me legjislacionin në fuqi. Dy udhëheqësit e institucioneve u pajtuan për bashkëpunim të ndërsjellë për zbatimin e ligjeve që bien në përgjegjësinë e zbatimit dhe monitorimit të të dyja institucioneve të pavarura me qëllimin e përbashkët të parandalimit dhe luftimit të korrupsionit duke respektuar legjislacionin në fuqi.