AKK-ja reagon ndaj ‘kërcënimit’ të Haxhiut për ngritjen e kallëzimit penal kundër Tahirit

31 maj 2021 | 10:47

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) i ka reaguar ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, në lidhje me kërcënimin për ngritjen e një kallëzimi penal kundër kryetarit të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, nëse ky i fundit nuk i ndalë punimet e rifilluara në pronën e “Hotel Vicianum”-it.

Në reagimin e AKK-së është thënë se sulmet e ministres Haxhiu ndaj kryetarit Tahiri janë të papranueshme dhe përmes tyre ajo është duke tentuar të ushtrojë ndikimin e saj.

“Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) shpreh shqetësimin dhe reagimin e vetë si organizëm i të gjithë kryetarëve të komunave të Kosovës lidhur me gjuhën kërcënuese në rrjetet sociale të ministres së Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu ndaj kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, z. Xhafer Tahiri. Sigurojmë znj. Haxhiu që secili kryetar i komunës, e edhe z. Xhafer Tahiri, si kryetar i Komunës së Vushtrrisë janë të gatshëm për bashkëpunim me nivelin qendror duke respektuar ligjin dhe ndarjen e kompetencave e përgjegjësive në mes të nivelit lokal dhe nivelit qendror”, është thënë në reagimin e AKK-së.

Më tutje, AKK i ka bërë thirrje ministres Haxhiu t’i tërheq kërcënimet ndaj kryetarit Tahiri.

Sipas AKK-së, prona publike dhe ruajtja e saj janë shqetësim i secilit kryetar komune në Kosovë.

“Sulmet në media ndaj kryetarëve të zgjedhur të komunave, pa i shterur të gjitha kanalet e brendshme të komunikimit zyrtarë janë të papranueshme dhe tentim për ushtrim të ndikimit. Prona publike dhe ruajtja e saj janë shqetësim i secilit kryetar Komune në Kosovë, pasi këto prona janë jetike për zhvillim të projekteve kapitale në Komunë për interes të përgjithshëm. Ftojmë ministren Haxhiu të tërheqë kërcënimin publik ndaj kryetarit të Komunës së Vushtrrisë. z. Tahiri”, është thënë në këtë reagim.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anëtarët e Kuvendit të Kosovës sot mblidhen në orën 12:00…