AKK-ja u bënë thirrje kryetarëve të komunave të mos shkojnë në takimin e thirrur nga Kurti
Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) ka kërkuar nga kryetarët e komunave që të mos marrin pjesë në takimin urgjent të ftuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
KosovaPress mëson se mospërfshirja e komunave të Kosovës në komitetin anti-Covid ka indinjuar kryetarët dhe të njëjtit priten të mos marrin pjesë në këtë takim.
“Vendimi i djeshëm i Qeverisë së Kosovës për formimin e komitetit anti-COVID, ku Asociacioni i Komunave të Kosovës ka qenë anëtar, dhe largimi i AKK në mënyrë arbitrare i ka indinjuar kryetarët e komunave dhe pothuajse arsyeja kryesore që sot bordi i AKK ka bërë ftesë që kryetarët të mos shkojnë në takimin e thirrur nga kryeministri Kurti është kjo”, thotë një burim për KosovaPress.
Qëllimi i këtij takimi mësohet të jetë situata e krijuar nga pandemia me Covid-19. Ky takim i thirrur nga Kurti pritet të mbahet në ambientet e Qeverisë së Kosovës, ku do të marrë pjesë edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Takimi është ftuar për në orën 10:00.