AKK: S’kemi bërë asnjë lëshim për rastin e Arta Rama-Hajrizit dhe Xhavit Halitit
Agjencia Kundër Korrupsionit ka bërë me dije se nuk ka bërë asnjë lëshim teknik lidhur me formularët për deklarimin e pasurisë së ish-kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Arta Rama-Hajrizaj dhe deputetit të PDK-së, Xhavit Haliti.
Përmes një sqarimi për medie, AKK-ja ka treguar deklarimi i pasurisë për deputetin Haliti ende nuk ka qenë publik në kohën kur është publikuar lajmi në media lidhur me të dhënat e zyrtarit.
“Sa i përket publikimit të deklarimit të pasurisë për zyrtarin e lartë publik znj. Arta Rama-Hajrizi, formulari i deklarimit të pasurisë së dorëzuar në Agjenci është identik me të dhënat e publikuara në ueb faqen zyrtare të Agjencisë, e që nënkupton se Agjencia nuk ka bërë kurrfarë lëshimi sa i përket publikimit të të dhënave të deklaruara nga subjekti në fjalë. Ndërsa sa i përket deklarimit të pasurisë për zyrtarin e lartë publik z. Xhavit Haliti, nuk ekziston asnjë lëshim apo gabim nga ana e Agjencisë sa i përket ngatërrimit të të dhënave të deklaruara të zyrtarit në fjalë me ndonjë zyrtarë tjetër”, është thënë në sqarimin e AKK-së.
Sqarimi i plotë i AKK-së:
Agjencia kundër Korrupsionit me datën 21.06.2021 ka publikuar regjistrat e deklarimit të pasurisë për të gjithë zyrtarët e lartë publik në pajtim me Ligjin për Deklarimin e Pasurisë.
Duke i marrë parasysh rrethanat si dhe situatën e krijuar që nga viti i kaluar me pandeminë COVID 19, Agjencia ka vepruar konform vendimeve të Qeverisë, duke respektuar me përpikëri rekomandimet dhe udhëzimet institucionale, në aspekt të ndërmarrjes së vazhdueshme të masave mbrojtëse me qëllim të parandalimit dhe përhapjes së virusit. Si rezultat i kësaj, i gjithë procesi i pranimit të formularëve të deklarimit të pasurisë nga Agjencia është bërë në formën elektronike si dhe përmes postës.
Gjatë procesit të pranimit të formularëve të deklarimit të pasurisë nga zyrtarët e lartë publikë, janë identifikuar gabime të ndryshme teknike apo edhe formularë të pakompletuar, me ç’rast Agjencia në raste të tilla ka kontaktuar me zyrtarët me qëllim të kompletimit të të dhënave në formularët e deklarimit.
Sa i përket publikimit të deklarimit të pasurisë për zyrtarin e lartë publik znj. Arta Rama-Hajrizi, formulari i deklarimit të pasurisë së dorëzuar në Agjenci është identik me të dhënat e publikuara në ueb faqen zyrtare të Agjencisë, e që nënkupton se Agjencia nuk ka bërë kurrfarë lëshimi sa i përket publikimit të të dhënave të deklaruara nga subjekti në fjalë.
Ndërsa sa i përket deklarimit të pasurisë për zyrtarin e lartë publik z. Xhavit Haliti, nuk ekziston asnjë lëshim apo gabim nga ana e Agjencisë sa i përket ngatërrimit të të dhënave të deklaruara të zyrtarit në fjalë me ndonjë zyrtarë tjetër.
Në rastin konkret, deklarimi i pasurisë për zyrtarin e lartë z. Haliti ende nuk ka qenë publik në kohën kur është publikuar lajmi në media lidhur me të dhënat e zyrtarit, pasi që regjistri i deklarimit të pasurisë për zyrtarin e lartë z. Xhavit Haliti është publikuar në orën 10:59 datë 29.01.2021, ndërsa lajmi në media është publikuar në mëngjesin e të njëjtës datë. Kjo nënkupton se regjistri i deklarimit të pasurisë për zyrtarin e lartë z. Haliti, është bërë publik pas pranimit të informatës.