AKP-ja hap shpalljen publike për qiradhënie të aseteve atraktive në disa komuna
Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka hapur shpalljen publike për qiradhënie të aseteve atraktive në disa komuna të Kosovës: Prishtinë njëmbëdhjetë asete, në rajonin e Pejës dymbëdhjetë asete, në rajonin e Prizrenit dy asete asete, në rajonin e Gjilanit pesë asete dhe tetë asete të ish Ndërmarrjes N.SH Metaliku në Gjakovë.
Shpallja publike është e hapur më 22 qershor, ndërsa dorëzimi dhe hapja e ofertave dhe publikimi i çmimeve do të bëhet më 6 korrik në zyrat rajonale respektive të AKP-së: Prishtinë, Gjilan, Pejë, dhe Prizren, ndërsa për asetet e N.SH Metaliku në Gjakovë në Zyrën Qendrore të AKP-së – Njësia për Monitorim, Kontroll dhe Administrim Direkt.
“Periudha e qiradhënies është për një vit me mundësi vazhdimi gjithashtu parashihet edhe ndërprerja e saj në rast të privatizimit. Ofertat mund të bëhen në mënyrë individuale për secilën njësi veç e veç dhe me zarf të mbyllur (një zarf – një ofertë për një njësi), dorëzohen në Zyrën Rajonale ku është aseti për të cilin ofertohet”, thuhet në njoftimin e AKP-së.
Ndërkaq në rastet e qiradhënies në vlera mbi 1,000 euro mujore, para nënshkrimit të kontratës do të kërkohet nga ofertuesi fitues të sjellë garancinë bankare (jo letër zotimi nga banka) në lartësinë e kontratës.
“Ofertat do të pranohen më 06.07.2022 prej orës 10:00 – 12:00 në zarf të mbyllur për secilën njësi veç e veç. Në zarf të mbyllur, zarfet do të hapen 15 minuta pas dorëzimit, pra në orën 12:15, kurse ofertat përmes faksit ose postës elektronike nuk do të pranohen”, ka njoftuar AKP-ja.