AKP-ja i reagon Kurtit: Më 19 shkurt është rekomanduar pezullimi i valëve të shitjes
Bordi i drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) ka njoftuar opinionin se në takimin joformal të mbajtur javën e kaluar, më 19 shkurt, ka udhëzuar menaxhmentin e AKP-së të mos vazhdojë me valët e shitjes deri në krijimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e 14 shkurtit.
Ky reagim i AKP-së ka ardhur pasi lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë bordi i AKP-së “krejtësisht paligjshëm po synon keqpërdorimin e vakuumit institucional duke tentuar të fillojë valë të reja të likuidimit në kundërshtim me vendimet e lartpërmendura”.
AKP-ja ka theksuar se ka qenë bashkëpunuese dhe vazhdimisht ka ofruar mbështetjen në vazhdën e përpjekjeve të secilës qeveri për të ndryshuar strategjinë e privatizimit të ndërmarrjeve dhe pronave shoqërore.
“AKP, gjithashtu ka ofruar bashkëpunim të shkëlqyeshëm me Komisionin hetimor parlamentar, duke ju përgjigjur të gjitha kërkesave dhe duke shpalosur të gjithë dokumentacionin e kërkuar. Duke pasur parasysh planifikimet buxhetore të qeverisë për vitin 2021 dhe obligimet ligjore të AKP-së që të zbatojë ligjin në fuqi, Bordi ka shqyrtuar mundësinë e rifillimit të shitjeve në mënyre që të hyrat buxhetore të arrihen sipas Ligjit për buxhetin. Sidoqoftë, e ritheksojmë se qysh javën e kaluar, në respektim të procesit të formimit të institucioneve të reja, dhe me qëllim të koordinimit sa më të ngushtë me Kuvendin dhe Qeverinë, Bordi ka marr vendim për pezullimin e valëve të shitjes”, është thënë në reagimin e AKP-së.
Më tutje, AKP-ja ka theksuar se në mënyrë të vazhdueshme ka qenë e hapur dhe bashkëpunuese me secilën qeveri, zyrtarët e lartë të institucioneve qendrore dhe lokale konform mandatit të saj ligjor. “Kjo praktikë do të vazhdojë edhe në të ardhmen duke respektuar në plotni kornizën ligjore në fuqi dhe obligimet e ndërsjella me institucionet relevante. Për hir të informimit të saktë të opinionit publik dhe të gjitha palëve të interesuara, përveç shitjes së aseteve në pronësi shoqërore, AKP-ja në mandatin dhe përgjegjësinë e saj ka edhe menaxhimin me kërkesat dhe procedurat e pagesave për 20 përqindëshin për punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore (rreth 50 000 përfitues deri më tani), shqyrtimin dhe përballjen me kërkesat kreditore (rreth 2.1 miliardë euro nga kreditorë të brendshëm dhe të jashtëm), ballafaqimin me mbi 25000 konteste gjyqësore që ndërlidhen me pronat shoqërore, mbrojtjen në dy arbitrazhe të komplikuara ndërkombëtare në vlerë prej rreth 30 milionë euro dhe administrimin e përditshëm të 591 Ndërmarrjeve shoqërore me rreth 2 300 aseteve në mbarë territorin e Kosovës (të cilat vazhdimisht rrezikohen nga tjetërsimi i paligjshëm). Realizimin e këtij mandati ligjor e vështirëson në masë të madhe presioni publik, i cili në shumicën e rasteve është i bazuar në informata jo të plota dhe jo zyrtare”, është thënë në këtë reagim.
Koncepti i transformimit të pronës shoqërore, Ligji mbi Agjencinë Kosovarë për Privatizim, dhe procesi i privatizimit në formën e tanishme nuk janë produkte e as vendime të AKP-së, por të institucioneve qendrore të Republikës së Kosovës, specifikisht të Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.
“AKP vepron në bazë të kësaj kornizë ligjore dhe rregullisht i raporton institucioneve qendrore për veprimet e saj. Andaj, për shkak të ndjeshmërisë së procesit, ju bëjmë thirrje të gjithë akterëve politikë e institucional që të jenë të kujdesshëm dhe të përmbahen nga kualifikimet publike të bazuara në informata jo të plota, të cilat për me tepër janë paragjykuese dhe të dëmshme për imazhin e një institucioni të pavarur kushtetues dhe ligjor, si dhe integritetin personal dhe profesional të zyrtarëve brenda këtij institucioni”, është thënë në reagimin e AKP-së.
AKP-ja ka theksuar se mbetet e hapur dhe transparente që të ndajë informata me këdo që ka interesim për procesin e privatizimit dhe administrimit të pronave shoqërore.
Kurti: Bordi i AKP-së po synon ta keqpërdorë vakuumin institucional