AKP-ja ka nxjerrë në shitje 47 lokale e prona atraktive në disa rajone të Kosovës
Agjencia Kosovare e Privatizimit ka nxjerrë në shitje 47 lokale e prona atraktive në disa rajone të Kosovës.
“Në valën e fundit të shitjeve të aseteve, e cila është shpallur më 6 qershor dhe do të jetë e hapur deri më 26 qershor, janë tenderuar 47 prona që ofrojnë mundësi të shkëlqyeshme për blerje dhe zhvillim të biznesit tuaj. Vala e re e shitjeve të aseteve me nr. 66 (ShAL 66) përfshin 13 asete në rajonin e Prishtinës, ku ka ndërtesa Administrative, lokale, depo e toka, që paraqesin mundësi të shkëlqyer për zhvillimin e veprimtarive biznesore. Në rajonin e Prishtinës po ashtu ka lokale e toka në shitje edhe në Komunën e Podujevës dhe të Graçanicës. Në rajonin e Pejës janë në shitje 10 asete, si ndërtesa e lokale, depo si dhe objekt hotelier (motel), që gjinden në Pejë, Gjakovë, Klinë e Istog. Po ashtu në rajonin e Pejës ka në shitje edhe toka bujqësore që janë të përshtatshme për kultivimin e kulturave të ndryshme bujqësore dhe për zhvillimin e biznesit”, ka njoftuar ATK-ja.
Në rajonin e Prizrenit mund të ofertoni për blerje të lokaleve dhe depove. Janë gjithsej 10 lokale në shitje në këtë rajon. Po ashtu, në këtë rajon në tender ka prona që gjenden në Komunën e Dragashit.
“Në regjionin e Mitrovicës AKP ka nxjerrë në shitje 12 asete, lokale, zyre më sipërfaqe të ndryshme atraktive për zhvillim biznesi. Po ashtu ka asete edhe në Komunën e Vushtrrisë. Të gjitha këto asete të ndërmarrjeve shoqërore paraqesin mundësi të shkëlqyer për zgjerim të biznesit apo iniciativa të reja biznesore në vendin tonë. Kurse në Rajonin e Gjilanit janë 2 asete të tenderuara në ShAL 66”, theksohet në njoftim.
AKP-ja ka njoftuar se blerësit mund të konkurrojnë për njërin nga këto asete apo mund të konkurrojnë për më shumë asete.
“Gjithë procesi i dorëzimit të ofertave dhe i hapjes dhe zbulimit të çmimeve është i siguruar dhe garantuar dhe zhvillohet me transparencë të lartë, në prani të mediave dhe gjithë blerësve konkurrentë dhe transmetohet drejtpërdrejt. Ofertat e mbyllura për njësitë/asetet që janë në shitje përmes Shitjes së Aseteve me Likuidim nr.66 duhet të dorëzohen në ‘Sallën e konferencave – Hoteli Grand’, në Prishtinë me datën 26.06.2024, nga ora 10:00 deri në orën 12:00, të shoqëruara edhe nga depozita e ofertës dhe tarifa për paraqitjen e ofertës, ashtu siç është parashikuar për secilin artikull. Kurse hapja e ofertave do të bëhet po të njëjtën ditë, duke filluar nga ora 12:30. Gjatë kësaj periudhe palët e interesuara e kanë mundësinë që të marrin informata më të detajuara si dhe t’i vizitojnë për së afërmi pronat e ofruara për shitje”, ka njoftuar AKP-ja.