AKP-ja shpalli rezultatet e shitjes së 37 aseteve të ndërmarrjeve shoqërore
Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) sot në ceremoninë e hapjes së ofertave të shitjeve nr. 63 përmes metodës së likuidimit, shpalli fituesit e përkohshëm për 37 Asete të Ndërmarrjeve Shoqërore në likuidim që ishin në dispozicion për shitje.
Ofertat u pranuan në “Sallën e konferencave Hoteli Grand”, në Prishtinë nga ora 10:00 deri në ora 12:00, ku më pas u mbajt edhe ceremonia e hapjes së ofertave dhe publikimi i rezultateve nga ora 12:30.
AKP-ja ka njoftuar se dorëzimi i ofertave nga investitorët, hapja e ofertave dhe publikimi i rezultateve janë bërë në mënyrë transparente, para përfaqësuesve të medieve, përfaqësuesve të Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës së Avokatëve të Kosovës si dhe investitorëve të pranishëm.
Po ashtu është bërë transmetimi i drejtpërdrejt i ceremonisë përmes faqes zyrtare të internetit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit: www.pak-ks.org, duke mundësuar përcjelljen e ceremonisë për të gjithë qytetarët e interesuar që nuk kanë qenë të pranishëm në sallë.
Për 37 asete sa ishin në shitje u pranuan gjithsej 80 oferta dhe vlera e tërësishme e ofertave më të larta ishte 1,515,219 euro.
Muharrem Arifi, u.d. zëvendësdrejtor ekzekutiv – Operativë në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, informoi të pranishmit se deri më tani janë privatizuar 2,913 asete të ndryshme përmes shitjeve të aseteve të Ndërmarrjeve Shoqërore në administrim të Agjencisë.
Arifi tha se në Fondet e Mirëbesimit deri më tani janë grumbulluar gjithsej 783,632.386 euro.
Sa i përket shpërndarjes së 20 %, ai tha se Agjencia po vazhdon me miratimin e listave të punëtorëve dhe shpërndarjen e shumës së 20% të të hyrave nga shitjet e aseteve për punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore dhe deri më tani janë shpërndajmë 163,379.229 euro, kurse numri i përgjithshëm i përfituesve të 20% është 52,092 ish punëtorë.
Agjencia Kosovare e Privatizimit është themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe është e shtrirë dhe vepron në të gjithë territorin e vendit. Agjencia ka mandatin dhe autoritetin për shitjen ose bartjen e ndërmarrjeve shoqërore dhe aseteve të tyre tek investitorët privat gjithnjë përmes një procesi të hapur, transparent, konkurrues dhe pa vonesa.
Rezultatet e ofertave mund të gjinden në linkun: https://www.pak-ks.org/page.aspx?id=1,106