AKP-ja shpalli rezultatet e shitjeve përmes likuidimit nr. 46
Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) të mërkurën në ceremoninë e hapjes së ofertave të shitjeve nr. 46 përmes metodës së likuidimit shpalli çmimet më të larta të ofruara për asetet e ndërmarrjeve shoqërore që ishin në dispozicion për shitje.
Për 113 asete sa ishin në shitje konkurruan 99 ofertues, ndërsa vlera e tërësishme e ofertave më të larta ishte 5,048,057 euro.
“Dorëzimi i ofertave nga investitorët, hapja e ofertave dhe publikimi i rezultateve u bënë në mënyrë transparente, para përfaqësuesve të mediave, përfaqësuesve të Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës së Avokatëve të Kosovës si dhe investitorëve të pranishëm”, është thënë në njoftimin për media të AKP-së.
Agjencia Kosovare e Privatizimit, është organ i pavarur i themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe është e shtrirë dhe vepron në të gjithë territorin e vendit.
Agjencia ka mandatin dhe autoritetin për shitjen ose bartjen e këtyre ndërmarrjeve dhe aseteve investitorëve private-blerësve, ose likuidimin e tyre, gjithnjë përmes një procesi të hapur, transparent, konkurrues dhe pa vonesa.
/Epoka e re/