AKP-ja shpalli rezultatet e shitjeve përmes likuidimit nr. 54
Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) të mëkurën në ceremoninë e hapjes së ofertave të shitjes së aseteve përmes metodës së likuidimit nr. 54 shpalli çmimet më të larta të ofruara për asetet e ndërmarrjeve shoqërore që ishin në dispozicion për shitje.
Për 93 asete sa ishin në shitje konkurruan 91 ofertues, ndërsa vlera e tërësishme e ofertave më të larta ishte 2,254,33 euro.
Dorëzimi i ofertave nga investitorët, hapja e ofertave dhe publikimi i rezultateve u bënë në mënyrë transparente, para përfaqësuesve të mediave, përfaqësuesve të Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës së Avokatëve të Kosovës si dhe investitorëve të pranishëm, ndërkaq është bërë transmetimi i drejtpërdrejt i ceremonisë përmes faqes zyrtare të internetit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Agjencia Kosovare e Privatizimit, është organ i pavarur i themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe është e shtrirë dhe vepron në të gjithë territorin e vendit.
Agjencia ka mandatin dhe autoritetin për shitjen ose bartjen e këtyre ndërmarrjeve dhe/ose aseteve investitorëve private-blerësve, ose likuidimin e tyre, gjithnjë përmes një procesi të hapur, transparent, konkurrues dhe pa vonesa.
/Epoka e re/