AKP-ja transferon mbi 42 milionë euro në fondin e Kosovës
Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka njoftuar se bordi i drejtorëve të kësaj agjencie në mbledhjen e mbajtur më 25 qershor të këtij viti ka vendosur edhe për transferimin e “Fondeve të mbetura” të likuidimit në vlerë prej 42,159,638.15 eurosh në Fondin e Konsoliduar të Republikës së Kosovës.
“Bazuar në ndryshimet e reja ligjore të parapara në nenin 2.6 të Ligjit nr. 04/L-034 për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, të ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 06/L-023, Ligjin nr. 05/L-80 dhe Ligjin nr. 04/L-115, këto fonde janë bartur nga Agjencia Kosovare e Privatizimit në Fondin e Konsoliduar të Republikës së Kosovës, në një llogari të veçantë në Thesarin e Kosovës. Përveç këtyre fondeve, Agjencia kishte bartur fonde tepricë edhe më parë në Fondin e Konsoliduar të Republikës së Kosovës: në korrik të vitit 2012 në vlerë prej 28,9 milionë eurosh dhe në dhjetor të vitit 2015 në vlerë prej 61,3 milionë eurosh”, është thënë në njoftimin e AKP-së.
Sipas këtij njoftimi, vlera e tërësishme e fondeve të bartura nga Agjencia në Fondin e Konsoliduar të Republikës së Kosovës që nga fillimi i procesit të likuidimit deri më tani ka arritur shumën prej 132.3 milionë eurosh.
/Epoka e re/