AKP-ja vendos në shitje 34 asete tjera të ndërmarrjeve shoqërore
Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) në mbledhjen e djeshme të Bordit të saj menaxhues, ka marrë një sërë vendimesh rreth procesit të privatizimit dhe likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore, ku ndër to ka qenë edhe aprovimi i listës së aseteve për vendosje në tender publik për valën e shitjeve nr.57.
Sipas një komunikate për media nga AKP-ja, në këtë listë përfshihen gjithsej 34 asete të ndërmarrjeve shoqërore.
Me këtë rast, Bordi i AKP-së ka kërkuar nga komunat e Kosovës që të parashtrojnë kërkesat sipas procedurave ligjore në rast se kanë ndonjë interesim për ndonjë nga këto asete për qëllim të interesit publik, për çka do të kontaktohen të gjitha komunat me shkrim.
Ndërkohë, për tri ndërmarrjet si: Industria e Keramikës, Shkup; Gazela dhe Sirovina Banat (otpad), Zrenjanin, u miratuan raportet e Komisionit për përcaktimin e statusit të tyre si ndërmarrje shoqërore, ndërkaq u miratua edhe Raporti i Komisionit për shitjen e banesave me të drejtën e shfrytëzimit.
Gjatë këtij takimi, Bordi i Drejtorëve në AKP ka miratuar edhe propozimin për inicimin e procedurës së shitjes së deleve, pronë e ndërmarrjes shoqërore “Sharrprodhimi”, Dragash.
Gjithashtu, është miratuar edhe ndryshimi i sipërfaqeve që shfrytëzohen në ndërmarrjen ‘Hotel Grand’, për qiramarrësit si në vijim: NTP De Bona Auto; Ephesus Travel Kosova; Brovina; Laureta; Five Star Fitnes; Prince Coffe House (Comodita Home); Prince Coffe House shpk; Roof Top Three 60 shpk; Tek-ing shpk – Ma Belle shpk.
Në këtë mbledhje, po ashtu janë aprovuar edhe raportet e shpërndarjes për kreditorët e ndërmarrjeve shoqërore në vijim: KB Kosova; 19 Qershori; PMN Sharr Han i Elezit; Hotel Mineral Gjilan; Liria Prishtinë; KB Ferizaji; FBI Trepça Pejë; dhe Montazhi i Kosovës, si dhe aprovoi raportet përfundimtare për ndërmarrjen në likuidim ‘Ndërtimtari’, Drenas.
“Bordi shqyrtoi Raportin mujor të ndërmarrjes shoqërore “Brezovica”, e cila është nën administrimin e AKP-së dhe kërkoi që të bëhen të gjitha përgatitjet e nevojshme, si për terrenet e skijimit, ashtu edhe për hapësirat e hoteleve që operojnë në kuadër të ndërmarrjes, në mënyrë që të ofrohen kushte sa më të mira për turistët në sezonën e ardhshme”. Përfundon komunikata nga AKP-ja.