AKP miraton transferimin pronësor të disa aseteve të ndërmarrjes shoqërore ‘Gërmia’

28 janar 2022 | 09:56

Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) ka mbajtur dje mbledhjen e rregullt, në të cilën u morën një sërë vendimesh rreth pronave dhe disa ndërmarrjeve shoqërore.

Bordi i Drejtorëve të kësaj ndërmarrjeje ka miratuar transferimin pronësor, pas pagesës së shpronësimit nga Komuna e Prishtinës, të Shtëpisë së Re të Mallrave, që është aset i ndërmarrjes shoqërore ‘Gërmia’, si dhe miratoi transferimin pronësor të tokës së N.SH Slloga në Prishtinë, dhe të një numri ngastrash kadastrale të ndërmarrjes shoqërore NSh IMN Prishtinë.

Po ashtu, ky Bord miratoi edhe propozimin e Autoritetit të Likuidimit për rritje të buxhetit për tri ndërmarrje, si për: NSh Amortizatorët Prishtinë, NSh DLB Lavërtari-Blegtori Prizren dhe NSh Unimont po ashtu në Prizren.

Në këtë mbledhje Bordi i Drejtorëve ka shqyrtuar dhe miratuar edhe amandamentimin e marrëveshjes për kompensimin e shpenzimeve për BSPK-në.

Gjithashtu, të njëjtit kanë miratuar edhe strategjinë dhe procedurat e marketingut dhe marrëdhënieve me publikun në këtë institucion, në mënyrë që të promovohen aktivitetet e AKP-së duke përfshirë metodologji të re të marketingut dhe informimit në funksion të rritjes së transparencës dhe të informimit të të gjitha palëve të interesit në mënyrë të drejt dhe pa vonesa.

Në njoftimin e tyre thuhet se Bordi i kësaj Agjencie ka vlerësuar dje se përcaktimi i vijës kufizuese të asetit të NSh Jugopetrol në Lakrishte, nuk është në kuadër të prioriteteve të AKP-së.

“Në këtë takim, pas shqyrtimit, Bordi i Drejtorëve miratoi transferimin pronësor, pas pagesës së shpronësimit nga Komuna e Prishtinës, të Shtëpisë së Re të Mallrave aset i N.Sh. Gërmia; toka e NSh Slloga Prishtinë; dhe një numër ngastrash kadastrale të NSh IMN Prishtinë. Veç këtyre Bordi diskutoi dhe miratoi propozimin e Autoritetit të Likuidimit për rritje të buxhetit për tri ndërmarrjet në vijim: a) NSh Amortizatorët Prishtinë; b) NSh DLB Lavërtari-Blegtori Prizren; dhe c) NSh Unimont Prizren”, thuhet tutje në njoftim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Antologjia Poetry Tree, ose Pema Poetike, botohet në Dubai Antologjia…