AKR-ja kërkon që të pezullohet taksa ndaj Serbisë nëse lëkunden raportet miqësore Kosovë-ShBA
Taksa e vendosur ndaj mallrave serbe që hyjnë në Kosovë ka ngjallur reagime të shumta nga shtetet e BE-së dhe ShBA-ja që vazhdimisht po kërkojnë heqjen e kësaj takse në mënyrë që të vazhdojë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
E vendosmëria e Qeverisë së Kosovës që kjo taksë të qëndrojë deri në njohjen reciproke nga Serbia, ka bërë që edhe SHBA-ja të ndryshojë qëndrimet sa i përket raporteve ShBA-Kosovë.
Nënkryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), njëherësh ministër i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, Fatmir Matoshi, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se taksa ndaj Serbisë ka qenë një vendim 100 përqind i drejtë, por ajo duhet të pezullohet nëse rrezikon prishjen e raporteve me shtetet mike.
“Nëse kjo taksë fillon me lëkundë raporte në mes miqësisë me ShBA-në, Gjermaninë, Britaninë dhe taksës, mendoj që duhet zgjedhim miqësinë dhe raporte të kultivuara të mira me këto vende mike dhe mendoj që për një kohë të caktuar duhet ta pezullojmë taksën e cila mund të rikthehet në fuqi kurdo që ne vendosim prapë”, tha Matoshi.
Ai thotë se koalicioni nuk do të prishet për shkak të taksës dhe se dallimet për taksën do zgjidhen mes partnerëve të këtij koalicioni.