AKR-ja nuk e ka problem kalimin e pragut zgjedhor
Deputeti i Aleancës Kosova e Re (AKR), Islam Pacolli, ka mirëpritur caktimin e datës për shpërndarjen e Kuvendit si dhe mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se Kosova duhet të piqet politikisht.
“Çfarëdo që të ndodhë, ky është vendi ynë dhe duhet ta japim kontributin tonë. Shpeshherë gjërat nuk shkojnë në drejtimin më të mirë, madje nganjëherë nuk i bëjnë mirë as vendit por, ndoshta, kësaj radhe është mirë të shkohet në zgjedhje të reja”, është shprehur Pacolli, duke shtuar se AKR-ja është e përgatitur për zgjedhjet e reja. “AKR-ja nuk e ka asnjë problem dhe është e përgatitur për zgjedhje. Kurdo që shpallen zgjedhjet ne jemi të gatshëm dhe qytetarëve do t’u të ofrojmë njerëz adekuatë. Pastaj varet prej qytetarëve nëse duan një qeverisje më të mirë apo jo”, ka theksuar ai. Pacolli ka treguar se ende nuk është vendosur nëse kjo parti do të garojë e vetme apo në koalicione.
Ai ka thënë se AKR-ja nuk e injoron dhe nuk ka vija të kuqe për askënd. Megjithatë, sipas Pacollit, AKR-ja në këto zgjedhje do të duhej të garonte e vetme. Madje, sipas tij, AKR-ja nuk do ta ketë problem kalimin e pragut zgjedhor.
“Pëlqimi im ka qenë dhe mbetet që AKR-ja të garojë e vetme në zgjedhje, mirëpo kjo çështje nuk varet nga unë, por nga organet e partisë. AKR-ja nuk e ka problem kalimin e pragut zgjedhor”, ka deklaruar Pacolli, duke shtuar se kjo parti do të jetë sërish përcaktuese për formimin e qeverisë së re.
“AKR-ja ka punuar dhe do të vazhdojë të punojë për të mirën e qytetarëve”, ka thënë ai. Duke folur për qeverisjen e deritanishme, ai ka thënë se AKR-ja ka punuar ndershëm dhe se i ka realizuar detyrat më mirë se secila parti tjetër. “Dëshira për të bërë shumë më shumë është e madhe por, megjithatë, çdo punë që kemi bërë mendoj se e kemi realizuar më mirë se çdo parti tjetër”, ka deklaruar Pacolli.
“Epoka e re”: Z. Pacolli, si i komentoni zhvillimet në skenën politike, përkatësisht caktimin e datës së shpërndarjes së Kuvendit, pastaj shkuarjen në zgjedhje të parakohshme?
Pacolli: Çfarëdo që të ndodhë ky është vendi ynë dhe duhet ta japim kontributin tonë. Shpeshherë gjërat nuk shkojnë në drejtimin më të mirë, madje nganjëherë nuk i bëjnë mirë as vendit por, ndoshta, kësaj radhe është mirë të shkohet në zgjedhje të reja.
“Epoka e re”: Mendoni se ka qenë koha e duhur për dorëheqjen e kryeministrit dhe për zgjedhje?
Pacolli: Nuk dua t’i komentoj veprimet e të tjerëve por, për mendimin tim, Kosova duhet të piqet politikisht. Vendi duhet t’i kthehet normalitetit, mandati duhet të jetë mandat, e jo sot të fillojë qeveria dhe nuk dihet se kur bie. Për të ardhur deri te kjo pikë natyrisht se duhet të kemi funksionim më të mirë të shtetit sa i përket respektimit të ligjit dhe llogaridhënies. Çdo pushtetar duhet të jetë përgjegjës ndaj qytetarëve dhe ndaj ligjit.
“Epoka e re”: A është AKR-ja e konsoliduar dhe e përgatitur për zgjedhje në rast se më 22 gusht shpërndahet Kuvendi?
Pacolli: AKR-ja nuk e ka asnjë problem dhe është e përgatitur për zgjedhje. Kurdo që shpallen zgjedhjet ne jemi të gatshëm dhe qytetarëve do t’u ofrojmë njerëz adekuatë, pastaj varet prej qytetarëve nëse duan një qeverisje më të mirë apo jo.
“Epoka e re”: Aktualisht shumica e subjekteve politike kanë shprehur pëlqimet e tyre lidhur me koalicionet parazgjedhore. AKR-ja ka vendosur se me kë do të bëjë koalicion apo do të garojë e vetme?
Pacolli: Jo, nuk kemi marrë ndonjë vendim të tillë në kryesi të partisë. Por, ndoshta, gjatë këtyre ditëve në strukturat e partisë do të mund të bisedohet edhe për këtë çështje.
“Epoka e re”: Ju personalisht mendoni se AKR-ja do të duhej të garojë e vetme apo si koalicion?
Pacolli: Pëlqimi im ka qenë dhe mbetet që AKR-ja të garojë e vetme në zgjedhje, mirëpo kjo çështje nuk varet nga unë, por nga organet e partisë.
“Epoka e re”: Në rast se AKR-ja do të garojë e vetme ashtu siç ju pëlqeni, a besoni se ka kapacitet për ta kaluar pragun zgjedhor?
Pacolli: AKR-ja nuk e ka problem kalimin e pragut zgjedhor.
“Epoka e re”: Mbi çfarë baze i mbështetni këto pritje?
Pacolli: AKR-ja ka qeverisur ndershëm, nuk ka afera korruptive dhe nuk është parti shantazhuese. Kështu që votuesit e AKR-së duhet të ndihen krenarë meqë AKR-ja nuk e ka keqpërdorur buxhetin e shtetit, por ka punuar sinqerisht. Kemi pasur qasje të mirë në qeverisje, por fuqia jonë politike ka qenë më e zbehtë meqë nuk kemi pasur shumë deputetë.
“Epoka e re”: Ndonëse ju preferoni të garoni vetëm, zëvendëskryetari i AKR-së, Agim Bahtiri, ka bërë me dije se pëlqen një koalicion parazgjedhor me LV-në. Sa ka gjasa të ndodhë një koalicion i tillë?
Pacolli: Për këtë do të vendosin organet e partisë. Kurse sa i perkat mendimit tim, AKR-ja duhet të garojë e vetme.
“Epoka e re”: Edhe pse AKR-ja ka pasur pak deputetë, ka marrë shumë hise në pushtet. Sa keni arritur t’i realizoni objektivat?
Pacolli: Dëshira për të bërë shumë më shumë është e madhe por, megjithatë, çdo punë që kemi bërë mendoj se e kemi realizuar më mirë se çdo parti tjetër.
“Epoka e re”: Prisni që kjo qeverisje do t’ju përkthehet në votë gjatë këtij procesi zgjedhor?
Pacolli: Puna e ndershme e AKR-së besoj se do të vlerësohet nga qytetarët. Unë kam qenë një ndër deputetët më të zëshëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe çdoherë i kam trajtuar çështjet që kanë qenë në interes të qytetarëve. Asnjëherë në Kuvend nuk kemi ngritur zërin për çështje personale apo partiake. Ajo që më ka penguar shumë dhe vazhdon të më pengojë shumë është se shumica e politikanëve thirren në interesat e qytetarëve, por punojnë për interesat personale dhe partiake. Edhe pse kam pasur vështirësi, sepse kam qenë deputet pa grup, megjithatë çdo çështje e kam trajtuar në mënyrë adekuate. Nuk jam ithtar i atyre që e zhvatin shtetin, sepse buxheti nuk është i pushtetarëve, por i taksapaguesve. Jam një ndër deputetët që asnjëherë nuk ka udhëtuar me buxhet të shtetit. Është vështirë të realizohet programi nëse nuk ke fuqi të mjaftueshme politike. Ka pasur progres gjatë kësaj qeverisje në disa aspekte. Rajoni i Gollakut ka qenë i anashkaluar nga qeveritë e kaluara dhe, përveç AKR-së, të tjerat nuk kanë bërë asgjë sidomos për rrugët në atë pjesë. Gollaku nuk e ka asnjë metër autostradë, prandaj qeveria e ardhshme duhet të bëjë më shumë në këtë drejtim.
“Epoka e re”: Edhe pas këtyre zgjedhjeve AKR-ja do të jetë përcaktuese për formimin e institucioneve?
Pacolli: AKR-ja nuk e injoron dhe nuk ka vija të kuqe për askënd. Mendoj se AKR-ja do të jetë sërish përcaktuese për formimin e qeverisë së re. AKR-ja ka punuar dhe do të vazhdojë të punojë për të mirën e qytetarëve.
“Epoka e re”: Z. Pacolli, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, si dhe deputeti Labinot Tahiri në vazhdimësi kanë dhënë deklarime të ndryshme sa i përket qëndrimit në AKR. Ka rrezik që në prag të këtyre zgjedhjeve ata ta braktisin partinë?
Pacolli: Ata ende janë në AKR. Në AKR zyrtarët kanë dhënë deklarata të ndryshme dhe kjo është e mirë si dhe është tregues se në partinë tonë ka demokraci dhe liri të shprehjes. Mendoj se treguesi më i mirë i demokracisë është AKR-ja. Bahtiri e Tahiri janë dy figura të rëndësishme që kanë dhënë dhe vazhdojnë ta japin kontributin e tyre në AKR.
Shqipe HETEMI