AKR-ja nuk ka vija të kuqe për asnjë parti

22 dhjetor 2020 | 21:12

Edhe pse nuk ishte vendim i pritur nga të gjithë, Gjykata Kushtetuese mbrëmë vonë publikoi informacionin për rrëzimin e Qeverisë Hoti, si dhe shkuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme.

Ani pse brenda vitit 2020 qytetarët kosovarë patën dy kryeministra, e dy qeverisje të ndryshme një gjë e tillë do të ndryshojë përsëri, në fillim të muajit shkurt 2021.

E gjithë kjo pasi Kushtetuesja mori vendim pro kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje rreth vlefshmërisë së votës së deputetit Etem Arifi për zgjedhjen e Qeverisë Hoti, me çka edhe zyrtarisht vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme.

Vota e deputetit Etem Arifi ishte vendimtare për zgjedhjen e Qeverisë Hoti më 3 qershor. Lidhur me këtë situatë të krijuar dhe shkuarjen në zgjedhje, lajmi. net ka kontaktuar liderin e AKR-së, Behgjet Pacolli.

Pacolli është deklaruar i hapur për mundësinë e bashkëpunimit me partitë politike në vend, madje duke e bërë të ditur se si AKR nuk kanë vija të kuqe për ndonjërën prej tyre.

“Ne nuk kemi vija të kuqe të bashkëpunimit me partitë tjera, nëse ato janë korrekte ndaj nesh dhe parimeve tona”, deklaroi Pacolli. Kësisoj kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli është nga zyrtarët politikë që ndoshta do të mund ta shohim në ndonjërin prej koalicioneve parazgjedhore të cilat mund të lidhen pak para shkurtit.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme të vitit 2021 pritet të jenë mjaftë interesante duke pas parasysh zhvillimet e fundit të cilat ishin në vend. Disa prej akterëve politikë nuk gjenden fare në Kosovë, kësisoj pritshmëritë për emrat të cilët do të jenë kandidat për kryeministër të vendit do të jenë surprizë.

Në PDK mungon Kadri Veseli si figura kyçe, por që në krye të partisë po zëvendësohet nga Enver Hoxhaj, në LDK prezent është Avdullah Hoti, por që mundësitë për kandidimin e tij nuk janë 100%. Në LDK janë lakuar edhe emra të tjerë të cilët do të mund të jenë kandidat potencial për të parin e qeverisë së re. Ngjashëm situate është edhe në AAK, pasi Ramush Haradinaj pati shprehur hapur kandidaturën e tij për President të Kosovës. Nga Lëvizja Vetëvendosje nuk ka patur ndonjë deklarim ende, por që padyshim figura kyçe në këtë parti sërish do të jetë Albin Kurti. Nga Nisma Socialdemokrate dhe AKR pritet të shihet nëse të njëjti do të hyjnë në koalicion me ndonjë prej partive, edhe pse nga Nisma së fundi pati deklarime për një bashkim të mundshëm me Partinë Demokratike të Kosovës, apo partinë e dikurshme të liderit të Nismës, Fatmir Limaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Jashtme në detyrë, Meliza Haradinaj Stublla, ka thënë…