AKR-ja nuk pëlqen të bëhet pjesë e koalicionit të ardhshëm qeverisës
Kryetari i Kuvendit të Aleancës Kosova e Re (AKR), Fatmir Matoshi, ka bërë me dije se kjo parti nuk preferon të bëhet pjesë e koalicionit të ardhshëm qeverisës.
Ai ka deklaruar se AKR-ja mendon të jetë opozitë në legjislaturën e shtatë dhe t’i gjejë gabimet që kanë sjellë rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Matoshi ka deklaruar se AKR-ja, duke qenë në opozitë, do t’i bëjë reformat e nevojshme në parti dhe prezantimin e duhur të ideologjisë liberale në vend.
“AKR-ja, duke mos qenë e kënaqur me rezultatin e treguar në zgjedhjet e fundit parlamentare, nuk pëlqen të jetë pjesë e koalicionit të ardhshëm qeverisës. Në vend të kësaj preferojmë t’i gjejmë gabimet që kemi bërë, t’i bëjmë reformat e nevojshme në parti, ta bëjmë prezantimin e duhur të ideologjisë liberale në vend, e cila ideologji i duhet Kosovës”, ka thënë Matoshi.
Ai është shprehur i bindur se vetëm në këtë mënyrë qytetarët e Kosovës do të përkrahin këtë parti ashtu siç janë duke u fuqizuar partitë liberale në Evropë. “Të gjitha vendimet për të ardhmen e partisë dhe bashkëpunimet eventuale do të merren nga organet udhëheqëse dhe duke u bazuar çdoherë në rrethanat politike të vendit”, ka thënë ai.
Matshi, i cili është ministër në detyrë i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ka folur edhe për mundësinë e funksionimit të koalicionit Nisma-AKR-PD pas konstituimit të Kuvendit. Ai ka treguar se Nisma dhe AKR-ja janë parti me ideologji të ndryshme, por kjo nuk do të thotë se ato mund të bashkëpunojnë. “Ne jemi dy parti që funksionojmë ndaras dhe me ideologji të kundërta, por kjo nuk do të thotë që ne nuk do të bashkëpunojmë edhe në të ardhmen. Ne kemi pasur një bashkëpunim të mirë edhe gjatë mandatit të kësaj qeverie dhe për të mirën e vendit do të bashkëpunojmë çdoherë”, ka thënë Matoshi.
Më tej, Matoshi ka vlerësuar se LV-ja dhe LDK-ja duhet t’i formojnë institucionet e reja menjëherë pas certifikimit të rezultatit zgjedhor. Sipas tij, qytetarët e Kosovës më 6 tetor kanë votuar për ndryshim dhe kjo duhet të merret parasysh nga të gjithë. “Partia fituese e ka obligim që pa vonesa t’i krijojë institucionet shtetërore për t’i vazhduar proceset politike të vendit. Siç e dini, ne si AKR në vitin 2017 kemi bërë thirrje dhe kemi ofruar përkrahjen tonë për opozitën që t’i tejkalojnë barrierat dhe të bashkohen për krijimin e koalicionit qeverisës, por kjo nuk ndodhi. Shpresojmë që me situatën e re të krijuar pas zgjedhjeve të mos kemi vonesa për konstituimin e institucioneve shtetërore”, është shprehur Matoshi.
“Epoka e re”: Z. Matoshi, në Qendrën e Numërimit të Rezultateve është duke vazhduar rinumërimi 1 407 kutive të votimit me vendim të PZAP-it. Ky proces a do ta bëjë përfundimisht koalicionin Nisma-AKR-PD pjesë të Kuvendit të Kosovës?
Matoshi: Si parti dhe si koalicion kemi thënë që nga 6 tetori se e kemi kaluar pragun dhe kjo u rikonfirmuar edhe tani pas tejkalimit të situatave dhe pretendimeve për deformimin e vullnetit të qytetarëve të vendit. Ne tani po presim edhe përfundimin e rinumërimit të votave dhe besojmë se pas certifikimit të rezultateve finale koalicioni ynë do të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës.
“Epoka e re”: Në bazë të rezultatit që po nxjerr procesi i rinumërimit, sa deputetë do t’i këtë AKR-ja në Kuvend?
Matoshi: Momentalisht kemi të konfirmuar dy deputetë, presim ta kemi edhe deputetin e tretë.
“Epoka e re”: Nëse ky koalicion është pjesë e Kuvendit të Kosovës, a është diskutuar në mes liderëve partiakë se cili do të jetë fati i këtij koalicioni në Kuvend? Do të veproni si koalicion apo do të veproni si parti të ndara?
Matoshi: Ne jemi dy parti që funksionojmë ndaras dhe me ideologji të kundërta, por kjo nuk do të thotë që ne nuk do të bashkëpunojmë edhe në të ardhmen. Ne kemi pasur bashkëpunim të mirë edhe gjatë mandatit të kësaj qeverie dhe për të mirën e vendit do të bashkëpunojmë çdoherë.
“Epoka e re”: Cilat janë gjasat që AKR-ja të jetë pjesë e koalicionit qeverisës?
Matoshi: AKR-ja, duke mos qenë e kënaqur me rezultatin e treguar në zgjedhjet e fundit parlamentare, nuk pëlqen të jetë pjesë e koalicionit të ardhshëm qeverisës. Preferojmë që t’i gjejmë gabimet që kemi bërë, t’i bëjmë reformat e nevojshme në parti, ta bëjmë prezantimin e duhur të ideologjisë liberale në vend e cila i duhet Kosovës dhe jemi të bindur që qytetarët do ta përkrahin dhe do ta fuqizojnë liberalizmin ashtu siç janë duke u fuqizuar partitë liberale në Evropë. Të gjitha vendimet për të ardhmen e partisë dhe bashkëpunimet eventuale do të merren nga organet udhëheqëse dhe duke u bazuar çdoherë në rrethanat politike të vendit.
“Epoka e re”: Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja janë në prag të arritjes së marrëveshjes për koalicionin qeverisës. Sa besoni se do të funksionojë një qeverisje në mes të këtyre dy partive?
Matoshi: Qytetarët kanë votuar për ndryshim dhe kjo duhet të merret parasysh nga të gjithë. Partia fituese e ka obligim që pa vonesa t’i krijojë institucionet shtetërore për t’i vazhduar proceset politike të vendit. Siç e dini, ne si AKR në vitin 2017 kemi bërë thirrje dhe kemi ofruar përkrahjen tonë për opozitën që t’i tejkalojnë barrierat dhe të bashkohen për krijimin e koalicionit qeverisës, por kjo nuk ndodhi. Shpresojmë që me situatën e re të krijuar pas zgjedhjeve të mos kemi vonesa për konstituimin e institucioneve shtetërore.
Muhamet KOCI