AKR-ja preferon koalicion parazgjedhor me LV-në ose PDK-në

03 janar 2021 | 11:01

Kryetari i Kuvendit Aleanca Kosova e Re (AKR), Fatmir Matoshi, ka bërë me dije se kjo parti synon të shkojë në koalicion parazgjedhor në zgjedhjet e parakohshme.

Në një intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ai ka thënë se AKR-ja preferon koalicion me partitë opozitare, Lëvizjen Vetëvendosje ose Partinë Demokratike të Kosovës.

Megjithatë, ai ka treguar se mundësia ekziston që të ketë bashkëpunim edhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Sipas Matoshit, kushti i vetëm i AKR-së për koalicion do të jetë pajtimi për program dhe për të bërë punë të mira për vendin.

“Tani me qenë se jemi në opozitë do të ishte më e udhës që të jemi me ndonjërën nga partitë opozitare, LV-në ose PDK-në, por mundësia ekziston që të kemi bashkëpunim dhe koalicion edhe me LDK-në”, ka thënë Matoshi.

Ai ka theksuar se viti që lamë pas ishte një nga vitet më të vështira që nga paslufta.

“Nuk ishte një vit i mirë e i mbarë për Kosovën sikundër që ishte vit shumë i rëndë për gjithë botën për shkak të përhapjes së virusit Covid-19, i cili, pos dëmeve të mëdha e humbjes së jetëve të njerëzve, solli edhe pasoja të rënda edhe në ekonomi e zhvillim. Ishte një vit me një pasiguri institucionale, me institucione të brishta. Filluam vitin me një qeveri në detyrë, pastaj vendi u qeverisë edhe rreth dy muaj të pranverës po ashtu nga një qeveri në detyrë dhe vitin po e përmbyllim sërish me një qeveri në detyrë, pa president, pa drejtor të AKI-së, pa drejtor të policisë, pa drejtor të ShSKUK-së në kohë pandemie etj. E gjithë kjo jo për koncepte politike e zhvillimore për vendin, por nga etja dhe dëshira për pushtet më të madh të disa liderëve politikë. Kosova u përballë edhe me Gjykatën Speciale e cila, po ashtu, ishte ngjarje e keqe që na ndodhi. Presidenti i vendit, dy ish-kryeparlamentarë dhe shefi i deputetëve të partisë më të madhe në vend u privuan nga liria dhe detyrat e tyre institucionale që kishin, për t’u përballuar me akuzat e fabrikuara që rëndojnë mbi ta e që ndërlidhen me kohën e luftës çlirimtare”, është shprehur Matoshi.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shtetet në mbarë botën po ashpërsojnë masat kundër koronavirusit, teksa…