AKR-ja pritet të mbetet me dy ministri
Pas kalimit të Labinot Tahirit në Grupin Parlamentar të AAK-së, pritet që partisë së Behgjet Pacollit, Aleancës Kosova e Re (AKR) t’i merren dy ministri, pasi tash AKR-ja ka vetëm një deputet në Kuvendin e Kosovës, Islam Pacollin.
Burime të gazetës “Epoka e re” brenda partnerëve të koalicionit, kanë bërë me dije se kjo çështje është diskutuar, dhe në ditët e ardhshme pritet të bëhet një balancim i bashkëqeverisjes mes partnerëve të koalicionit.
Sipas burimeve të gazetës, Pacollit do t’i mbetet Ministria e Punëve të Jashtme dhe ajo e Zhvillimit Ekonomik, ndërkaq dy ministritë tjera; Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor do të ndahen mes AAK-së dhe PDK-së.
Pas zgjedhjeve nga AKR-ja kishin arritur që të bëheshin deputetë, Behgjet Pacolli, Korab Sejdiu, Islam Pacolli e Labinot Tahiri.
Korab Sejdiu është larguar rreth para një viti nga AKR-ja.
(Epoka e re/ M.Q)